Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari ka deklaruar se zjarri që përfshiu pallatin në Tiranë është vënë në kontroll. Hajdari tha se është evakuuar edhe një tjetër person i moshuar, i cili ndodhej në pallatin pranë.
Ai gjithashtu shpjegoi se ngjarja është në zhvillim e sipër, megjithatë të gjitha forcat, zjarrfikësja, FNSH, zjarrfikës janë në gatishmëri.
“Një operacion shumë i vështirë. Nuk kemi viktimë. Kemi të dëmtuar me djegie dhe dëmtime të karakterit jo të rëndë. Janë nxjerrë disa banorë të pamundur nga gjendja shëndetësore. Para 10 minutash u evakuua një person i moshuar. Për të qetësuar të gjithë opinionin publik zjarri është vënë nën kontroll. Por operacioni do të vazhdojë deri në fund, kur të neutralizohet i gjithë zjarri”, tha më tej ai.
Më tej theksoi se ka urdhëruar Bashkinë e Tiranës dhe emergjencat civile për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur.
“Unë jam prefekti i qarkut të Tiranës dhe dal përpara jush jo për të bërë politikë. Shteti është këtu.”, tha ai.
Lini një Përgjigje