Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, ka qenë i pranishëm në terren pas zjarrit masiv që përfshiu një pallat në zonën e “Farmacia 10”, pranë Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, duke ndjekur nga afër operacionin e emergjencës.
Në një prononcim për mediat, ai bëri të ditur se deri në këto momente nuk raportohen viktima, ndërsa personat e paraqitur në spital kanë shfaqur kryesisht shenja asfiksie.
“Nuk kanë probleme, por thjesht asfiksi. Akoma nuk e kemi bërë bilancin e të gjithë pasojave. Kur të kontrollojmë gjithë bizneset do ju bëjmë me dije për bilancin”, u shpreh drejtori i Policisë.
Sipas tij, edhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës kanë pësuar dëmtime të lehta gjatë ndërhyrjes.
“Punonjësit e shërbimit zjarrfikës kanë djegie të vogla, nuk kanë dëme të rënda,” tha ai.
Hitaj theksoi se të gjitha strukturat janë vënë në lëvizje menjëherë pas marrjes së njoftimit për zjarrin, duke përfshirë edhe strukturat speciale të policisë.
“Janë angazhuar të gjitha strukturat me marrjen e njoftimit. Janë vënë në dispozicion forcat RENEA dhe repartet e tjera,” deklaroi ai.
Sa i përket situatës në terren, drejtori i Policisë nënvizoi se kontrollet vijojnë dhe se ende nuk është bërë një verifikim i plotë i të gjitha banesave dhe ambienteve të godinës.
“Nuk ka njoftim zyrtar për humbje jete. Nuk janë kontrolluar të gjitha banesat. Më vonë do të kemi një bilanc të detajuar,” u shpreh ai.
Paralelisht me ndërhyrjen për shuarjen e flakëve, autoritetet kanë nisur edhe hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit.
“Po grumbullojmë provat, po marrim kamerat e sigurisë dhe do pyeten personat e përfshirë. Nëse ka persona përgjegjës do mbajnë përgjegjësi,” deklaroi drejtori i Policisë.
Ndërkohë, operacioni në terren vijon me angazhimin e mbi 50 forcave, përfshirë zjarrfikës, emergjencat civile dhe ushtrinë, si dhe me ndërhyrjen nga ajri të helikopterëve Cougar, në përpjekje për të vënë nën kontroll të plotë flakët dhe për të shmangur rrezikun për banorët dhe zonën përreth.
Zoti I rujt njerit