TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Korrik 2026, 08:17

Meta rikthehet sot në GJKKO, pritet vendimi për listën me 134 dëshmitarë

Shkruar nga Pamfleti

Meta rikthehet sot në GJKKO, pritet vendimi për listën me 134

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvillon sot në orën 10:00, seancën e radhës ndaj ish-presidentit Ilir Meta, i cili po përballet me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Në seancën e kaluar, avokati i mëparshëm i mbrojtës, Kujtim Cakrani, kërkoi kryerjen e një riekspertimi të të ardhurave të Metës që nga viti 1992. Gjithashtu, ai paraqiti një listë me 134 persona që kërkon të thirren si dëshmitarë në proces, ku përfshihen kryeministri Edi Rama, ish-deputetë, ish-bashkëpunëtorë të Metës në Lëvizjen Socialiste për Integrim, si dhe disa shtetas të huaj të lidhur me çështjet CEZ-DIA dhe lobimin, mes tyre edhe Charles McGonigal.

Tashmë i takon gjykatës të vendosë se cilët prej dëshmitarëve do të pranohen për t'u dëgjuar në proces. Edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK), në seancën e mëparshme, ka paraqitur një listë me 110 emra dëshmitarësh.

Pas përfundimit të seancës së fundit u bë i ditur edhe largimi i avokatit Kujtim Cakrani nga mbrojtja e Metës. Studio ligjore e Cakranit njoftoi se marrëveshja ishte ndërprerë për shkak të humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit mes palëve.

Më vonë, u publikua edhe një letër e shkruar me dorë nga Ilir Meta, në të cilën ai shprehej se kishte kërkuar ndryshimin e avokatit, pasi dëshironte një përfaqësues ligjor të angazhuar ekskluzivisht me çështjen e tij, për shkak të volumit të dosjes dhe nevojës për disponueshmëri të plotë.

Deri më tani, nuk është bërë publik emri i avokatit të ri që do të marrë përsipër mbrojtjen e kryetarit të Partisë së Lirisë.

Lini një Përgjigje