Aksioni i sotëm i Prokurorisë në ASHK Durrës goditi 12 persona, por la jashtë Ervin Krymbin, "sekserin" e Kadastrës dhe krahun e djathtë të drejtorit, i cili dyshohet se ka konceptuar dhe ekzekutuar skemat e tjetërsimit të pronave
Prokuroria ka lëshuar sot 12 masa sigurie ndaj ish-funksionarëve të Hipotekës dhe personave që dyshohet se kanë përfituar prona në mënyrë të paligjshme, por nëse Prokuroria nuk e kufizon hetimin vetëm te këta 12 emra dhe zgjeron hetimet në të gjitha dosjet e tjetërsimit të pronave në Kadastrën e Durrësit, do të zbulojë se i njëjti mekanizëm falsifikimesh është drejtuar nga një emër që mungon në listën e sotme. Ervin Krymbi, i njohur në Durrës si "sekseri i Kadastrës", është krahu i djathtë i drejtorit të Kadastrës së Durrësit dhe emri i tij lidhet drejtpërdrejt me dy skema që kanë kthyer institucionin në një biznes të mirëfilltë me tarifa fikse e pagesa cash.
Prej vitesh, në dosjet e Prokurorisë së Durrësit dhe në denoncimet e qytetarëve që kanë humbur pronat, është një emër që përsëritet vazhdimisht dhe ai është Ervin Krymbi. Për ekzekutimin e skemës së parë, që lidhet me legalizimin e vilave të luksit si "magazina bujqësore", Krymbi bashkëpunoi me disa punonjës të Kadastrës dhe me vetë drejtorin e institucionit, duke mundësuar që dhjetëra hektarë tokë bujqësore në zonat bregdetare të Durrësit të zënin nga vila tri e katërkatëshe me pronarë emra ish-ministrash, ish-deputetësh dhe pushtetarësh. Ligjërisht, këto ndërtime janë ndërtime pa leje, por në duart e Krymbit ato marrin jetë të re në letër dhe regjistrohen si depo bujqësore, duke shmangur kështu taksat e larta dhe ndalesat urbanistike.
Skema e dytë lidhet me rindërtimin pas tërmetit të 2019-ës, ku Krymbi u premtonte pronarëve të hoteleve dhe ndërtesave të reja në Durrës se mund të shtonin më shumë kate se sa lejohej, duke u siguruar se pas ndërtimit ai do t'i legalizonte ato kate shtesë përmes programit të rindërtimit. Rreth 120 pallate në Durrës u klasifikuan DS4 dhe objektet me kosto riparimi mbi 70 për qind të vlerës u shembën për t'u rindërtuar nga e para, dhe në këtë proces u legalizuan masa të tëra metrash katrorë që më parë ishin jashtë ligjit, pa paguar asnjë gjobë apo taksë trualli.
Ndërsa sot u arrestuan 12 persona, mes tyre Ramazan Sheshi, Adrian Kona, Bledar Zerba dhe Rovin Zeqja me masën e arrestit me burg, Ervin Krymbi vazhdon të ecë i lirë, megjithëse hetimi i Prokurorisë, i nisur pas inventarizimit të 1.063 regjistrave hipotekorë ku vetëm 152 rezultuan të rregullt dhe 908 të dëmtuar me 730 faqe të zhdukura, 243 faqe të zëvendësuara, 569 faqe të dubluara dhe 1.548 faqe bosh, ka nxjerrë në pah një mekanizëm të organizuar që nuk mund të jetë drejtuar pa një arkitekt.
Aksioni i sotëm është vetëm vala e parë, por nëse Prokuroria dhe SPAK nuk e zgjeron hetimin për të përfshirë edhe "sekserin", Durrësi do të vazhdojë të jetë gangrenë problemesh.
Në vijim do të publikojmë prova për shumë bëma të tjera që ka bërë e vazhdon të bëjë "sekseri" i Kadastrës së Durrësit dhe lidhjet e tij me krimin. /Pamfleti
Lini një Përgjigje