
Rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës dhe mungesa e masave mbështetëse nga qeveria kanë detyruar operatorët e transportit publik të marrin masa drastike, duke paralajmëruar reduktim të ndjeshëm të shërbimit për qytetarët.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban njoftuan se nga nesër flota e autobusëve në qarkullim do të ulet me 40%, si pasojë e përkeqësimit të situatës financiare në sektor.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur çmimet e karburanteve kanë pësuar rritje, duke ndikuar drejtpërdrejt në kostot operative të kompanive të transportit, ndërsa kërkesat e vazhdueshme për subvencionim nuk kanë marrë përgjigje konkrete nga institucionet.
Njoftimi i plotë:
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban informojnë qytetarët se, pavarësisht problematikës së ngritur prej javësh dhe takimit të zhvilluar më datë 01.04.2026 me institucionet përgjegjëse, deri në këtë moment nuk është marrë asnjë masë konkrete mbështetëse për sektorin e transportit publik. Kështu konstatojmë se:
a) Nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, pavarësisht kërkesës së përsëritur të operatorëve;
b) Nuk ka një vendim zyrtar apo plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare të sektorit; c) Nuk është dhënë asnjë afat konkret për ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse;
d) Nuk ka nisur asnjë proces për rishikimin e elementeve fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot operative (akcizë, taksë qarkullimi, TVSH).
Kjo mungesë reagimi dhe veprimi konkret ka përkeqësuar ndjeshëm situatën financiare të operatorëve, të cilët ndodhen tashmë në kushte tejet të vështira për të përballuar vazhdimin e aktivitetit. Për pasojë, ju bëjmë me dije se, duke filluar nga nesër do të reduktojmë numrin e mjeteve në qarkullim duke e ulur me 40% flotën në shërbimin e transportit publik, si një masë e detyruar për përballimin e kësaj situate emergjente.
U bëjmë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe të parashikojnë kohën e udhëtimit, duke theksuar se kjo situatë nuk vjen si rezultat i vullnetit të operatorëve, por si pasojë direkte e mungesës së ndërhyrjes institucionale në kohë.
Shoqatat mbeten të hapura për dialog dhe bashkëpunim, por theksojnë nevojën për ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive.
Lini një Përgjigje