
Në pikën kufitare të Hanit të Hotit është ndërprerë qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë drejt Malit të Zi, si pasojë e një proteste 72-orëshe të nisur nga Shoqata e Kamionistëve të Malit të Zi, e cila ka filluar më 14 prill 2026, në orën 09:30.
Aktualisht, në zonën doganore ndodhen disa kamionë që presin të kalojnë kufirin, por deri tani nuk raportohet për radhë të gjata apo probleme të theksuara në qarkullim.
Autoritetet bëjnë me dije se, për arsye sigurie dhe për të shmangur bllokime apo incidente të mundshme, gjatë kësaj periudhe nuk do të lejohet lëvizja e kamionëve nga Shqipëria drejt Malit të Zi. Ndërkohë, vijon pa ndërprerje qarkullimi i automjeteve të vogla, autobusëve, mjeteve të emergjencës dhe transportit të pasagjerëve.
Arsyet e protestës nuk janë bërë ende të ditura, ndërsa kujtohet se në muajin shkurt, shoqatat e transportit ndërkufitar në rajon protestuan kundër rregullave të reja të hyrje-daljes në zonën Shengen.
Lini një Përgjigje