TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Prill 2026, 12:32

Detyrimi i Komisionerit Civil, të hetojë emërimin e të dënuarit për vjedhje, Mark Molla, si Administrator i Universitetit të Shkodrës

Shkruar nga Pamfleti
Detyrimi i Komisionerit Civil, të hetojë emërimin e të
Lefterije Lleshi (Luzi), komisionere për mbikëqyrjen e sherbimit civil /

Emërimi i administratorit të Universitetit të Shkodrës ka hapur një përplasje të fortë mbi ligjshmërinë e vendimit. Nëse personi i emëruar rezulton i dënuar me vendim gjykate, atëherë Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka detyrimin të verifikojë procedurën, kriteret dhe vlefshmërinë e këtij emërimi...

Më 2 prill 2026, Mark Ndoc Molla, i dënuar për vjedhje, u emërua Administrator i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, me urdhër të Ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, ndaj 4 anëtarëve të Bordit, përfaqësues të ministrisë që përbëjnë shumicën e votave në bord.

Kjo shumicë e ministrisë në bord nuk zbatoi ligjin për dekriminalizimin dhe ligjin për integritetin e nëpunësve, duke e emëruar Mark Mollën Administrator të Universitetit, megjithëse ka vendim gjykate për dënimin e tij me 8 vite burg për vjedhje të pasurive publike.

Ata zbatuan urdhrin e ministres Mirela Kumbaro, dhe Mark hajduti ka filluar administrimin ekonomiko-financiar të universitetit të Shkodrës, por një institucion kushtetues kontrollues ka detyrimin të hetojë emërimin e tij në këtë detyrë.

Është Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, të cilin Ligji Nr. 152/2013 e detyron të orientojë dhe mbikëqyrë krijimin e një administrate me nëpunës të bazuar në meritë, integritet moral e ligjor, figurë të pastër dhe të kërkojë largimin e atyre që nuk plotësojnë këto kritere.

Administratori i Universitetit të Shkodrës, Mark Molla, me vendim gjykate ka humbur integritetin, madje ligjërisht nuk ka besimin dhe sigurinë për administrimin e fondeve të Universitetit të Shkodrës, sepse figuron i dënuar me burg për vjedhje të pasurive publike.

Krye-komisioneres për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Lefterie Lleshi (Luzi), po i rikujtojmë se Mark Molla u përzgjodh e u emërua si numri dy i Universitetit të Shkodrës, me urdhër politik personal e klientelist të Ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, nëpërmjet anëtarëve të shumicës në bord, përfaqësues të ministrisë që janë në vartësi të saj.

Mbështetur në këtë fakt, është detyrim i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil të hetojë emërimin e paligjshëm të hajdutit të dënuar Mark Molla, në detyrën e administrimit ekonomiko-financiar të universitetit.

Sipas nenit 14 të Ligjit Nr. 152/2013 “Për Shërbimin Civil”, komisioneri mbikëqyr ligjshmërinë e përzgjedhjes dhe emërimit të nëpunësve të lartë në administratën publike nëpërmjet konkurseve, siç është përzgjedhur dhe emëruar i dënuari Mark Molla.

Komisioneri nuk ka tagër të pezullojë e shkarkojë nëpunësit e drejtuesit në administratën publike, por sipas ligjit ka detyrimin të inspektojë dokumentat e emërimeve dhe të kryejë hetim të plotë sipas Kodit të Procedurave Administrative.

Kur gjatë hetimit konstatohen shkelje të ligjit në përzgjedhje e emërime, komisioneri kërkon zbatimin e ligjit për çdo rast, duke rekomanduar anulimin e vendimit të emërimit të drejtuesit.

A do të urdhërojë Krye-komisionerja e Shërbimit Civil, Lefterie Lleshi (Luzi), fillimin e hetimit për përzgjedhjen dhe emërimin e të dënuarit Mark Molla, në detyrën Administrator i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës?/Pamfleti

 

mark molla lefterije lleshi

Lini një Përgjigje