Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Trump cakton ambasadorin e ri në Tiranë/ Kush është gjenerali që pritet të pasojë Yuri Kim
Presidenti amerikan Donald Trump ka përzgjedhur emrin e ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Ambasada e SHBA ka afro 3 vite pa ambasador dhe Trump ka nominuar gjeneralin e pensionuar Eric Wendt si pasues të Yuri Kim. Emri i tij është dërguar në Senat dhe nëse miratohet aty, gjenerali pritet të stacionohet në Tiranë.
Eric P. Wendt është një gjeneral-lejtnant i pensionuar i Ushtrisë së SHBA, i cili ka shërbyer së fundmi si komandant i 5-të i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, detyrë që e përfundoi në janar të vitit 2021.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur disa poste të rëndësishme në strukturat ushtarake amerikane dhe ndërkombëtare. Ai ka shërbyer si Koordinator i Sigurisë i SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez në periudhën 2017–2019, si shef shtabi i Komandës së Paqësorit të SHBA, si dhe në role të tjera drejtuese në operacionet speciale, përfshirë Korenë dhe Afganistanin.
Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, në fushën e ligjit dhe shoqërisë, ndërsa më pas ka përfunduar studimet master në çështjet e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School. Ai u tërhoq nga ushtria në mars të vitit 2021, pas më shumë se 34 vitesh shërbim, ku përfshihen mbi 30 vite në forcat speciale si “Green Beret”. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreançen.
Më herët, në vitin 2020, Presidenti Trump e kishte propozuar për ambasador në Katar, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati para përfundimit të mandatit të Kongresit të atëhershëm.
Mashtrimi 50 mln euro/ Kush janë personat e përfshirë në skemën e call center
Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 7 urdhër-arreste dhe 2 masa “ndalim dalje jashtë vendi” në kuadër të operacionit të zhvilluar në kryeqytet, ku u goditën tre qendra Call Center-ash të dyshuara për mashtrim kompjuterik.
Në listën e personave për të cilët është caktuar masa “arrest në burg” janë: Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami dhe Xhoji Hitaj, ky i fundit i njohur edhe për një rast të mëparshëm për “vrasje me dashje në tentativë”. Ndërkohë, Aida Vokli dhe Ledjon Cenaj janë lënë me masën “ndalim dalje jashtë vendit”.
Sipas burimeve, gjatë operacionit janë shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 80 operatorë të gjetur në ambientet e këtyre qendrave.
Nga kontrollet janë sekuestruar mbi 800 mijë euro cash, si dhe pajisje të shumta teknologjike, përfshirë kompjutera, servera, USB dhe kamera sigurie. Tre Call Center-at e goditur ndodheshin në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa hetimet kanë çuar edhe në identifikimin e disa bazave të tjera të dyshuara, të cilat po verifikohen.
Hetimet, që kanë nisur rreth dy vite më parë në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe austriake, kanë zbuluar një skemë të organizuar mashtrimi ndaj qytetarëve europianë. Sipas të dhënave, dy prej të arrestuarve, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra, dyshohet se konvertonin fitimet në kriptomonedha për të fshehur gjurmët e parave.
Hetimet flasin për mijëra persona të mashtruar dhe një dëm ekonomik që dyshohet të kalojë shifrën e 50 milionë eurove, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë aktivitet.
Rikthimi i emigrantëve shqiptarë pas Pashkëve/ Mbingarkohet Kapshtica, pritje të gjata në kufi
Përfundimi i festës së Pashkëve ka rritur ndjeshëm fluksin e lëvizjeve në pikën kufitare të Kapshticës, ku emigrantët shqiptarë janë rikthyer drejt Greqisë.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit në këtë pikë kalimi kanë hyrë 4,805 shtetas, ndërsa kanë dalë 8,052 persona, duke konfirmuar intensitetin e lëvizjeve pas festave.
Sipas raportimeve nga terreni, situata ka qenë e rënduar pasditen e djeshme. Radhë të gjata automjetesh janë krijuar në dalje, ndërsa qytetarët kanë pritur me orë të tëra për të kaluar kufirin.
Aktualisht, situata në Kapshticë raportohet e qetë dhe pa probleme, ndërsa autoritetet kufitare vijojnë monitorimin e fluksit.
“Pandëshkueshmëria ka marrë fund”/ Rama: Askush s’na ndal në rrugën europiane
Nga samiti i Diasporës, Kryeministri Edi Rama, nuk ka nguruar të thumbojë opozitën, lidhur me atë që e konsideron si nxirje të emrit të Shqipërisë në gjuhë të huaj, në arenën ndërkombëtare.
Prej javësh, Rama akuzon opozitën se po bën çdo përpjekje për të penguar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa vendi ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave në një kohë rekord.
Ai e krahasoi rrugëtimin e Shqipërisë me përvojën e emigrantëve shqiptarë, duke thënë se si në të kaluarën ata përballeshin me vështirësi dhe mungesë vëmendjeje në vendet ku shkonin, edhe Shqipëria ka hasur sfida të ngjashme në procesin e integrimit. Rama theksoi se pandëshkueshmëria në Shqipëri ka marrë fund, duke i dhënë fund, sipas tij, kohës kur ligji vepronte vetëm për të dobtin ndërsa i forti e sfidonte.
Një mesazh Rama ka drejtuar edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë që të investojnë në pronat e të parëve të tyre, ose në vendin e tyre të origjinës.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje