Pas 35 milionë eurove të hedhura për klasat digjitale dhe pas propagandës për modernizimin e arsimit, një ankand i Qendrës së Shërbimeve Arsimore zbulon se shteti nuk ka as pajisjet bazë për testimet ndërkombëtare...
Qendra e Shërbimeve Arsimore shpalli më 10 prill 2026 një procedurë për të marrë me qira 133 kompjuterë për testimin ndërkombëtar të nxënësve. Në një vend ku qeveria ka folur për dixhitalizim të shkollave dhe ka shpenzuar miliona euro për klasa digjitale, ky fakt rrëzon propagandën dhe ekspozon gjendjen reale të arsimit parauniversitar.
Kur erdhi në pushtet 13 vjet më parë, Edi Rama premtoi se do ta nxirrte arsimin parauniversitar nga prapambetja dhe do ta kthente në një sistem modern, të krahasueshëm me vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian.
Për vite me radhë, qeveria e shiti këtë premtim si reformë në ecje. U fol për klasa digjitale, për pajisje moderne, për teknologji në mësimdhënie dhe për një shkollë të re shqiptare. Gjatë viteve 2014-2019 u akorduan edhe 35 milionë euro për ngritjen dhe kompletimin e klasave digjitale në disa qytete të vendit.
Por pas kësaj fasade propagandistike, rezultati real mbeti i zymtë. Në vend të një sistemi të modernizuar, dolën skandale me zhdukjen e kompjuterëve nga shkollat dhe dyshime mbi efektin real të investimeve të bëra në emër të dixhitalizimit.
Edhe rezultatet e testimeve ndërkombëtare treguan nivelin e vërtetë të sistemit. Arsimi parauniversitar në Shqipëri nuk dha asnjë shenjë të transformimit që premtoi qeveria. Përkundrazi, testimet ndërkombëtare treguan mangësi të rënda në të nxënë, në kurrikula dhe në cilësinë e përgjithshme të arsimit.
Dhe tani ka dalë edhe prova më e turpshme e këtij dështimi.

Më 10 prill 2026, Qendra e Shërbimeve Arsimore pranë Ministrisë së Arsimit shpalli një procedurë për të marrë me qira 133 kompjuterë nga privatët për nevojat e testimit ndërkombëtar të nxënësve.
Pra, pas gjithë propagandës për modernizimin e shkollës, vetë institucioni që organizon dhe mbikëqyr testimet nuk ka në dispozicion as kompjuterët bazë për t’i zhvilluar ato. Kjo nuk është më çështje mungese teknike. Kjo është prova se propaganda ka ecur shumë më shpejt se realiteti.
Nëse Qendra e Shërbimeve Arsimore është katandisur në pikën që të marrë me qira kompjuterë për testimin e nxënësve, atëherë nuk është vështirë të kuptohet gjendja reale e shkollave në të gjithë vendin.
Ky fakt rrëzon në themel narrativën e qeverisë për shkollën digjitale. Rrëzon premtimin për modernizim. Rrëzon krenarinë e stisur të kryeministrit për një arsim që, në praktikë, nuk ka as infrastrukturën minimale për të organizuar një testim normal.
Në letër, qeveria foli për reformë. Në terren, arsimi shqiptar po merr me qira kompjuterë.
Dhe ky është përkufizimi më brutal i dështimit./Pamfleti
O injorant,qendra merr kompjutra vetem per nje testim, nuk ka ciduhen per me shume se nuk eshte magazine etj.