Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas zjarrit të rënë në një kompleks banimi në kryeqytet, duke bërë të ditur se situata po ndiqet nga afër dhe se në terren janë angazhuar forca të shumta për përballimin e emergjencës.
Sipas njoftimit zyrtar, në operacion janë përfshirë dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe efektivë nga struktura të ndryshme, ndërsa deri në këto momente nuk raportohen persona të lënduar si pasojë direkte e flakëve.
Bashkia e Tiranës ka operuar me kapacitete të plota, si në mjete ashtu edhe në personel. Në mbështetje të saj janë angazhuar edhe Bashkia Kamëz me dy mjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, si dhe Bashkia Vorë me dy mjete të tjera dhe 10 efektivë.
Ndërkohë, Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion katër mjete zjarrfikëse, 26 efektivë dhe një helikopter Cougar, i cili po ndërhyn nga ajri për shuarjen e flakëve. Në operacion është përfshirë edhe UKT, që ka ndihmuar me tre autobote uji.
Autoritetet bëjnë me dije se strukturat përkatëse vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin situatën në mënyrë të vazhdueshme, deri në normalizimin e plotë të saj.
Lini një Përgjigje