
Shtyhet sërish seanca paraprake ndaj ish-kryebashkiakut Erion Veliaj. Mësohet se shkak u bë mungesa e një prej avokatëve, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më datë 12 nëntor.
Ndërkohë gjykata e posaçme legjitimoi avokatin e ri të Veliajt, Artan Gjermeni i cili kërkoi kohë të njihej me aktet. Vetë Veliaj nuk mori pjesë në seancë, ndërsa gjykata vendosi që seancat pasardhëse do të jenë çdo të hënë.
Në seancën e sotme do të shqyrtoheshin akuzat penale që rëndojnë ndaj Veliajt, i cili prej 10 shkurtit ndodhet pas hekurave, si dhe do të vendosej nëse dosja ndaj ish-kryebashkiakut do të kalonte ose jo për gjykim.
Kujtojmë se, seanca e shkuar u shty për shkak të bojkotit të avokatëve mbi ndalimin e avokatit Ulian Barjami, pas përplasjes me prokurorin në sallën e gjyqit, ngjarje e ndodhur në Gjykatën e Elbasanit. Kujtojmë se të enjten e 2 tetorit Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Erion Veliajt, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, Veliaj akuzohet se është përfshirë në disa raste korrupsioni, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Po ashtu edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa përballet me akuza për korrupsion pasiv, gjithashtu për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.
Veliaj po zhvillon edhe një betejë ligjore pasi u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, ndërsa Gjykata Kushtetuese pezulloi shkarkimin e tij dhe bllokoi zgjedhjet e parakohshme në Tiranë.
Lini një Përgjigje