TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Tetor 2025, 10:22

Gjyqi ndaj Metës, SPAK merr provat e reja nga SHBA; Kryemadhi: Dumani, ushtar i Yuri Kim

Shkruar nga Pamfleti

Gjyqi ndaj Metës, SPAK merr provat e reja nga SHBA; Kryemadhi: Dumani,

Ka zgjatur shumë pak minuta seanca paraprake në GJKKO ndaj Ilir Metës, ish-President i Republikës, Monika Kryemadhit, ish-bashkëshorte e tij dhe 3 të pandehurve të tjerë, ndaj të cilëve SPAK ka ngritur një seri akuzash. Shkak për pezullimin e seancës është bërë mungesa e avokatit të Kryemadhit, ndërkohë që seanca e rradhës do të mbahet më 11 nëntor.

Por shtyrja e seancës ka acaruar avokatin e Ilir Metës, Kujtim Cakrani, që ka akuzuar gjyqtaren Irena Gjoka se ndodhet nën shantazhimin e SPAK-ut.

Në anën tjetër, SPAK-ut i ka ardhur një letër porosi nga Shtetet e Bashkuara që ka lidhje me lobimin që ish-LSI, parti e drejtuar nga Meta dhe Kryemadhi, kanë kryer në SHBA. Pikërisht këtë provë të re SPAK e ka paraqitur në dosje, ndërsa avokati i Metës, ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur. Gjithsesi në një deklaratë për mediat ai e paraqiti këtë provë të re të SPAK si të parëndësishme, pasi sipas tij është një kontratë mes një firme lobimi dhe një biznesmeni. “Në atë kontratë nuk ka as firmë, as vulë, nga zoti Meta apo subjektit që ai ka drejtuar”, tha Cakrani.

Ndërkohë, Monika Kryemadhi në një prononcim për mediat zgjodhi të sulmojë kreun e SPAK, Altin Dumani.

Sipas saj, SPAK vazhdon të shantazojë Ilir Metën dhe familjen e saj me hetimet që po vazhdon edhe pse dosjen e ka kaluar për gjykim.

Ajo shënjestroi Altin Dumanin duke e cilësuar si ushtar të Yuri Kim, ish ambasadores së SHBA. 

“Vazhdon hetimi, nëse dosja hetimore do të ishte mbyllur në 27 korrik, Prokuroria vazhdon e heton, thërret dëshmitarë dhe hetimi për Metën, Kryemadhin, mamanë time etj vazhdon. Dmth se jemi në hetim paraprak dhe arsyeja për të cilën është hetuar në mënyrë të tillë është për të mbajtur Metën në burg, mua dhe familjarët nën presion. Ata që duan ta bëjnë janë ushtarë të bindur të Yuri Kim, edhe pse është në largim e sipër”, tha Kryemadhi.

SPAK pretendon se gjatë hetimeve janë zbuluar skema korrupsioni dhe abuzime me pushtetin. Përveç Metës dhe Kryemadhit, janë dërguar për gjykim edhe tre persona të tjerë.

Më 29 gusht, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit mbylli hetimet dhe e dërgoi për gjykim Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, me akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

Kujtojmë Meta ka kundërshtuar vendimin e shkallës së parë, duke kërkuar zbutjen ose heqjen e masës së arrestit, ndërsa mbrojtja e tij e ka cilësuar masën si të pajustifikuar dhe politike.

Lini një Përgjigje