
Ilir Rusi, kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke paraqitur raportin vjetor të institucionit që drejton, ka paraqitur kritika lidhur me buxhetin.
Ai tha se vetëm 2/3 e buxhetit të kërkuar nga KLGJ është miratuar, duke sqaruar se pjesa më e madhe e fondit shkon për pagat e magjistratëve dhe pak përqind për investime.
“Sa herë kërkojmë nuk jepen të gjitha. Në vitin 2024, janë dhënë 2/3 e buxhetit të kërkuar nga KLGJ. Në këto, 90% e tyre janë për paga dhe shërbime operative. Nëse bëhet financimi për paga, është detyrim se nuk ka punë të papaguar.
10% e tyre kanë qenë për investime kapitale. Edhe në 2025, rezulton e njëjta situatë. Jemi në kushtet kur rreth 30% e buxhetit të kërkuar nuk miratohet nga ana e Kuvendit. Ai buxhet që miratohet shkon për paga e sigurime shoqërore, dhe rreth 12% e tyre shkojnë për investime kapitale.
Ka qenë kërkesë konstante për infrastrukturën, gjykatën e shkallës së parë në Tiranë, e Apelit, për Beratin, Fierin, Durrësin, e Lezhës, Shkodrës, Kukësit dhe asnjë nuk janë miratuar fondet përkatëse. E treta, kanë qenë financimet për sigurinë në gjykata. I vetmi vit buxhetor kur janë miratuar financimet për sigurinë në gjykata ka qenë viti 2022. Në vitet 2023-2024, me gjithë kërkesat tona, nuk është miratuar ky zë në lidhje me sigurinë në gjykata nëpërmjet pajisjeve të teknologjisë si kamera, sinjalizues, detektorë…”, tha Rusi.
Rusi theksoi se në vitin 2024, Këshilli është përqendruar në adresimin e një prej problematikave më të hershme të sistemit gjyqësor, reduktimin e çështjeve të prapambetura (backlog-ut). Për këtë qëllim, ka hartuar dhe miratuar Strategjinë Kombëtare të Uljes së Numrit të Çështjeve të Prapambetura në Gjykata (2024-2027).
“Edhe pse ka kaluar një vit nga zbatimi i plotë i hartës gjyqësore janë vënë re përmirësime të eficensës në sistemin gjyqësor. Në shtator norma e zgjidhjes së çështjeve arriti në 96%, kjo tregon përmirësim në likuidimin e çështjeve. Një faktor që ndikon negativisht është mungesa e gjyqtarëve. Për të zbatuar këto masa dhe adresuar strokun në çështjet e prapambetura, Këshilli ka miratuar strategji për uljen e tyre në periudhën 2024-2027, përmban masa konkrete ligjore dhe administrative, që synojnë zgjidhjen e problematikave që shkaktojnë numrin e lartë të çështjeve dhe pakësimin e dtyre në vitet e ardhshme”, theksoi Rusi.
Lini një Përgjigje