TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Tetor 2025, 12:40

Rruga e re drejt Drilonit, banorët e Gurrasit në Pogradec në protestë: Na morën tokat pa shpronësim

Shkruar nga Pamfleti

Rruga e re drejt Drilonit, banorët e Gurrasit në Pogradec në

Banorë të fshatit Gurras në qytetin e Pogradecit, po protestojnë ditën e sotme pasi tokat e tyre bujqësore janë prekur nga ndërtimi i rrugës së re që lidh zonën e burimeve të Gurrasit me Drilonin.

Sipas banorëve, deri më sot nuk është kryer asnjë procedurë shpronësimi, ndërsa nuk u është përcaktuar as sipërfaqja e zënë e tokës dhe as vlera e kompensimit.

Banorët shprehen se tokat i kanë me certifikata pronësie, të përfituara me ligjin 7501 ose të blera më pas. Ata pohojnë se mjetet e ndërtimit janë futur në pronat e tyre pa paralajmërim dhe se bashkia e Pogradecit nuk u ka dhënë ende asnjë sqarim për situatën.

Sipas tyre, projekti po i afrohet përfundimit dhe frika më e madhe është që rruga të merret në dorëzim pa u kryer më parë procedurat e shpronësimit, gjë që do t’i linte pa asnjë mundësi kompensimi për tokën e humbur.

Rruga e re kalon në tokat e rreth 120 familjeve, ndërsa një pjesë e mirë e atyre që merren me bujqësi, janë prekur plotësisht, duke mbetur pa pronë. Zona ku po ndërtohet rruga është ish-kënetore torfike, e njohur për prodhim të lartë bujqësor.

Banorët paralajmërojnë se, nëse bashkia nuk ndërhyn për zgjidhjen e çështjes së shpronësimeve, ata do të protestojnë dhe do të bllokojnë punimet.

Nga ana tjetër jashtë kamerave përfaqësues të Bashkisë Pogradec thanë për "News 24", se procedura e shpronësimit është ende në proces, por nuk është dhënë ende një afat se kur do të përfundojë.

Lini një Përgjigje