TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Tetor 2025, 12:21

U premtuan qytetarëve të Kukësit para në këmbim të votave, SPAK dërgon për gjykim dy kushërinjtë Peposhi

Shkruar nga Pamfleti

U premtuan qytetarëve të Kukësit para në këmbim

Dy kushërinjtë Gazment dhe Kalosh Peposhi janë dërguar për gjykim pasi dyshohet se blinin vota për PSD në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ata do të përballen me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Në njoftimin zyrtar të SPAK thuhet se dy kushërinjtë Peposhi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë premtuar dhe dhënë para zgjedhësve në njësinë Administrative Ujmisht në Kukës në këmbim të votës.

Arrestimi i 27-vjeçarit Kalosh Peposhi u bë një ditë para zgjedhjeve të 11 majit, të cilit iu sekuestruan edhe shuma monetare 205.500 lekë të reja dhe 525 euro, një aparat celular (Iphone) dhe një automjet (Mercedes Benz). Në kërkim vijon ende Gazment Peposhi, i cili rezulton edhe kryeplak i fshatit Lusen.

"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe në datë 28.10.2025, ka dërguar për gjykim procedimin penal nr. 83 të vitit 2025, në ngarkim të dy të pandehurve:

Kalosh Peposhi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal, i hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”;

Gazmend Peposhi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal, i hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”, në mungesë.

rocedimi penal është regjistruar mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në ngarkim të shtetasve te mësipërm të dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.

Nga aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale të hetimit (përgjime të komunikimeve telefonike, vëzhgime dhe veprime të tjera hetimore), ka rezultuar se të pandehurit Gazmend Peposhi dhe Kalosh Peposhi janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në rrethin e Kukësit, gjatë zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë fushatës zgjedhore, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u kanë premtuar dhe dhënë shuma monetare zgjedhësve të Njësisë Administrative Ujmisht, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik “Partia Socialdemokrate e Shqipërisë”.

Hetimi ka evidentuar se të pandehurit kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të këtij subjekti politik, duke ofruar dhe shpërndarë mjete monetare ndaj zgjedhësve për të ndikuar në mënyrën e votimit të tyre", njofton SPAK. 

Lini një Përgjigje