TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Maj 2026, 20:11

Rriten tarifat e Postës Shqiptare, opozita: Po penalizohen pensionistët

Shkruar nga Pamfleti
Rriten tarifat e Postës Shqiptare, opozita: Po penalizohen
Posta Shqiptare

Qytetarët shqiptarë po përballen prej fillimit të muajit maj me tarifa më të larta për shërbimet postare, pas vendimit të Postës Shqiptare për rishikimin e çmimeve në një sërë shërbimesh bazë.

Rritja e tarifave hyri në fuqi më 4 maj dhe prek letërkëmbimin, kartolinat, shtypshkrimet, paketat e vogla, kolipostën, postën sekrete, abonimet në kutitë postare, si dhe dërgesat me vlerë të deklaruar.

Në njoftimin zyrtar, Posta Shqiptare argumentoi se vendimi lidhet me efektet e inflacionit dhe nevojën për përshtatjen e tarifave me tregun.

Rishikimi i tarifave vjen si rezultat i inflacionit dhe ka për qëllim përshtatjen e çmimeve me kushtet e tregut, si dhe përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe bizneset”, thuhet në argumentimin e institucionit.

Por vendimi është kundërshtuar nga Partia Demokratike, e cila akuzon Postën Shqiptare se po ua transferon qytetarëve kostot e dështimeve të veta, ndërsa paralajmëron se barrën më të madhe do ta mbajnë pensionistët.

Në një reagim publik, deputeti demokrat Blendi Himçi deklaroi se në vend të modernizimit dhe investimeve në teknologji, institucioni ka zgjedhur të rrisë çmimet për qytetarët.

Në vend që të investojë në infrastrukturë digjitale, Posta zgjedh të rrisë tarifat e shërbimeve për qytetarët. U kërkohet të paguajnë më shumë për një shërbim që prej vitesh ka dështuar të garantojë standarde minimale sigurie, eficience dhe transparence”, deklaroi Himçi.

Sipas tij, qytetarët po detyrohen të paguajnë më shumë për një shërbim që vijon të ketë probleme të vazhdueshme në funksionim.

Nuk mund të kërkosh më shumë para nga qytetarët për të mbuluar dështimet që vetë institucioni ka prodhuar me papërgjegjshmëri”, theksoi deputeti demokrat.

Ai ngriti shqetësimin se rritja e tarifave prek kryesisht shtresat më të dobëta ekonomike, veçanërisht pensionistët, të cilët mbeten përdoruesit më të rregullt të shërbimeve postare në vend.

Më shqetësuese është fakti se kjo barrë bie mbi shtresat më vulnerabël të shoqërisë, veçanërisht mbi pensionistët, të cilët janë përdoruesit më të shpeshtë të shërbimeve postare dhe që sot po penalizohen padrejtësisht”, u shpreh Himçi.

Opozita kërkon që Posta Shqiptare të bëjë publike të dhënat financiare dhe të japë shpjegime të detajuara mbi arsyet e rritjes së tarifave, ndërsa debati për cilësinë e shërbimeve postare dhe kostot për qytetarët pritet të vijojë edhe në javët në vijim.

tarifa posta

Lini një Përgjigje