TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Maj 2026, 19:09

Pa garë dhe pa debat, KLGJ vulos “katapultimin” e anëtarëve të Vettingut në Apel!

Shkruar nga Pamfleti
Pa garë dhe pa debat, KLGJ vulos “katapultimin” e
KPA & KLGJ

KLGJ shpall vakancat në Apel për anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit...

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka hapur zyrtarisht rrugën për kalimin e anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit drejt Gjykatave të Apelit, në një proces që po konsiderohet si “katapultim” i zyrtarëve të Vettingut në sistemin e drejtësisë, pa konkurs dhe jashtë filtrave që kalojnë juristët e zakonshëm.

Me votë unanime dhe pa asnjë debat publik, KLGJ shpalli 10 vende vakante në Gjykatën Administrative të Apelit dhe në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, vende të cilat synohen nga pesë anëtarë të KPA-së: Sokol Çomo, Natasha Mulaj, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Mimoza Tasi.

Vendimi ka ndezur sërish debatin mbi mënyrën sesi anëtarët e strukturave të Vettingut po kalojnë automatikisht në sistemin gjyqësor, ndonëse shumica prej tyre nuk kanë ndjekur Shkollën e Magjistraturës dhe nuk kanë konkurruar asnjëherë për pozicione gjyqtarësh në Apel.

Ligji i posaçëm i Vettingut u jep anëtarëve të KPA-së të drejtën që, pas përfundimit të mandatit, të emërohen gjyqtarë Apeli, me përjashtim të rasteve kur kanë masa disiplinore. Pikërisht kjo dispozitë është tashmë objekt i një beteje në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkohet shfuqizimi i saj si antikushtetuese.

Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” ka depozituar një padi voluminoze, duke argumentuar se Kushtetuta parashikon qartë që gjyqtarët duhet të kalojnë përmes Shkollës së Magjistraturës dhe filtrave të verifikimit profesional e moral.

Në qendër të debatit është pikërisht fakti se anëtarët e KPA-së po trajtohen si një kategori “elitare”, që përfiton hyrje direkte në Gjykatat e Apelit vetëm për shkak të mandatit në Vetting.

Dyshimet janë shtuar edhe më shumë pas faktit se mbledhja e KLGJ-së u shoqërua me një diskutim me dyer të mbyllura për më shumë se dy orë e gjysmë, pa një shpjegim publik mbi bazën ligjore të këtij vendimi.

Ndërkohë, padia në Gjykatën Kushtetuese pritet të kthehet në një nga përplasjet më të forta juridike të pas-reformës në drejtësi. Nëse Kushtetuesja rrëzon dispozitën, anëtarët e KPA-së do të duhet të konkurrojnë si çdo jurist tjetër. Nëse jo, atëherë do të legjitimohet një precedent që sipas kritikëve krijon “gjyqtarë VIP” të futur në sistem përmes një rruge të shkurtër politike.

Debati tashmë nuk është vetëm juridik, por edhe politik e moral: a po mbyllet Vettingu duke prodhuar një kastë të re gjyqtarësh të privilegjuar? /Pamfleti

apel klgj

Lini një Përgjigje