
Kontrollet për goditjen e sendeve të ndaluara në burgje duket se janë shtuar në të gjithë vendin. Vetëm gjatë ditës së sotme, aksione të befasishme janë zhvilluar në disa institucione të vuajtjes së dënimit, mes tyre në Vlorë dhe Rrogozhinë.
Paraditen e sotme, gjatë kontrolleve në IEVP Vlorë, është gjetur një aparat celular i tipit iPhone, i fshehur brenda një dysheku në qeli. Sendi i ndaluar është sekuestruar, ndërsa kanë nisur verifikimet për identifikimin e personave përgjegjës.
Ndërkohë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, kontrolle të befasishme janë ushtruar edhe në IEVP Rrogozhinë.
Aksioni është zhvilluar nën drejtimin e drejtuesit të institucionit, Shefit të Policisë dhe Grupit të Sigurisë, ndërsa kontrollet janë shtrirë në ambientet e përbashkëta, hapësirat e brendshme dhe fushat e ajrimit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit në brezin e butë pranë Godinës nr. 1 janë gjetur të hedhur në tokë dy aparate celularë, pa autor të identifikuar.
“Sendet e ndaluara janë sekuestruar dhe janë njoftuar menjëherë strukturat e SHKBB-së për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Lini një Përgjigje