Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli ka reaguar për herë të parë publikisht për situatën e krijuar në Aeroportin e Vlorës, duke lënë të kuptohet se projekti po i merret nga shteti shqiptar.
Në një postim në rrjetet sociale, ku ka publikuar një bisedë telefonike me një gazetar shqiptar, Pacolli deklaron se nuk dëshiron të përplaset me shtetin, por akuzon autoritetet për mënyrën se si po veprohet ndaj kompanisë së tij.
“Aeroportin, le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë. Por mënyra se si po përdoret kjo fuqi është joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor”, shkruan Pacolli.
Për herë të parë, biznesmeni duket se ia faturon drejtpërdrejt shtetit shqiptar situatën e krijuar në projektin strategjik të Aeroportit të Vlorës, ndërsa lë të kuptohet se ndërhyrja e policisë ka qenë pika e kthesës në raportet mes palëve.
Pacolli thekson se aeroporti është ndërtuar tërësisht me financimet e tij dhe se deri tani janë investuar mbi 310 milionë euro.
“Aeroporti është ndërtuar ekskluzivisht me mjetet e mia financiare. Janë mbi 310 milionë euro të investuara dhe të angazhuara në formë garancish. Vetëm Valon Ademi, si punëkryes, ka marrë mbi 35 milionë euro nga garancioni i MABCO-s”, deklaron ai.
Në reagimin e tij, Pacolli ndalet edhe te situata e punëtorëve dhe nënkontraktorëve, duke garantuar se çdo detyrim financiar do të shlyhet.
“Ata janë paguar dhe çdo detyrim i mbetur do të paguhet deri në centin e fundit. Sa u përket punëtorëve dhe ekspertëve tanë, ne do të përpiqemi t’i angazhojmë në projekte të tjera jashtë vendit. Ata për ne kanë vlerë dhe nuk do të lihen pas dore”, shprehet biznesmeni kosovar.
Por sipas tij, dëmi më i madh nuk është financiar, por njerëzor dhe moral, pas ndërhyrjes së policisë në kantier.
“Këta njerëz janë prekur në dinjitetin e tyre nga ndërhyrja e policisë. Në kantier u kanë mbetur instrumentet e punës, pajisjet, sendet personale, kasafortat, materialet personale dhe materialet e punës në magazina. Më e rënda është se është cenuar dinjiteti njerëzor i njerëzve të punës”, deklaron Pacolli.
Ai paralajmëron se pasojat e kësaj situate do të ndikojnë jo vetëm te kompania e tij, por edhe te besimi i investitorëve të huaj te Shqipëria.
“Çështjet materiale të MABCO-s, herët a vonë, do të rregullohen me ligj. Por dëmi që i bëhet dinjitetit të njeriut, besimit te shteti dhe imazhit të Shqipërisë para investitorëve nuk riparohet lehtë”, thekson Pacolli.
Në fund të reagimit, ai deklaron se do të vazhdojë të mbrojë interesin e punëtorëve dhe parimin që shteti duhet të jetë garant i ligjit dhe jo presion ndaj investitorëve.
“Unë do të vazhdoj të mbroj interesin e kombit, interesin e punëtorëve dhe parimin se shteti duhet të jetë garant i ligjit, jo instrument presioni ndaj atyre që punojnë, ndërtojnë dhe investojnë”, përfundon ai.
310 000. € dhe çështja kalon në arbitrazh dhe si gjithë çështjet në arbitrazh shteti shqiptar i humb dhe Pacolli 500 milion i fut në xhep dhe valoni merr çtë marri paguajnë shqiptarët
Ca pergjigje doni .kjo ishte loja hej burra.
Me sa duket nuk u eshtë pjekur kulaqi sikur e kishin planifikuar prandaj po hahen me pacollin " Po ka gjasa se do ta pësojmë-paguajmë sikur me Francesko Begetin ;