
Autoriteti Portual Durrës ka njoftuar se, për shkak të kushteve të këqija atmosferike, është shtyrë nisja e trageteve nga Porti i Durrësit.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet me dije se imbarkimi i pasagjerëve dhe mjeteve do të vijojë mbrëmjen e sotme, sipas orareve të parashikuara.
Ndërkohë, nisja e trageteve është shtyrë dhe do të realizohet ditën e enjte, më 5 shkurt 2026, në orët e para të mëngjesit, sapo të përmirësohen kushtet e motit.
Peshkarexhat dhe anijet e tonazhit të vogël nuk do të lundrojnë derisa të qetësohet moti. Në det të hapur forca është 7 ballë, ndërsa era fryn nga jugu.
Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që të qëndrojnë në kontakt me kompanitë përkatëse të trageteve për informacion të përditësuar, duke i falenderuar për mirëkuptimin.
“Autoriteti Portual Durrës informon se, sipas njoftimeve nga kompanitë e trageteve, për shkak të kushteve atmosferike të pafavorshme: Imbarkimi i pasagjerëve dhe mjeteve në tragete do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, sipas orarit të parashikuar. Nisja e trageteve është shtyrë dhe do të realizohet më 05.02.2026, në orët e para të mëngjesit, me qetësimin e kushteve të motit. U kërkojmë udhëtarëve të qëndrojnë në kontakt me kompanitë përkatëse të lundrimit për informacion të përditësuar dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin!”, thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje