Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me një kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda nga çështja penale ndaj tij, duke pretenduar se gjatë shqyrtimit paraprak janë cenuar parimet e një procesi të rregullt ligjor. Kërkesa është depozituar më 2 shkurt dhe është regjistruar zyrtarisht më 4 shkurt, ndërsa pritet të shqyrtohet nga gjyqtari Bib Ndreca.
Sipas mbrojtjes, shqetësimet lidhen me seancën e 2 shkurtit, ku Veliaj dhe avokatët e tij pretendojnë se nuk iu garantua një mbrojtje reale dhe efektive. Avokatët argumentojnë se kryebashkiaku u detyrua të mbrohej personalisht, ndërkohë që gjykata i caktoi një avokate kryesisht, pa pëlqimin e tij, e cila, sipas tyre, nuk kishte pasur kohë dhe mundësi të njihej me dosjen hetimore.
Mbrojtja thekson se kërkesa për kohë shtesë për përgatitjen e mbrojtjes është refuzuar, pavarësisht se bëhej fjalë për një dosje voluminoze prej rreth 61 mijë faqesh, ndërsa gjykata e ka konsideruar mbrojtjen të përfunduar. Sipas avokatëve, kjo ka bërë të pamundur ushtrimin e një mbrojtjeje të plotë.
Në kërkesën për përjashtim, mbrojtja ngre gjithashtu shqetësime për qëndrimin e Prokurorisë së Posaçme, duke e cilësuar të njëanshëm dhe në dëm të të drejtave të të pandehurit. Sipas tyre, edhe gjyqtarja ka mbajtur një qëndrim që krijon perceptimin e rreshtimit me akuzën.
Kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda vjen në një moment vendimtar të procesit, ndërsa GJKKO pritet të shpallë më 9 shkurt vendimin nëse dosja ndaj Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë do të kalojë ose jo për gjykim. Ndërkohë, kryebashkiaku i Tiranës vijon të mbahet në paraburgim, pas rrëzimit të kërkesës së tij për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Lini një Përgjigje