Në Tiranë ka nisur një aksion i gjerë i Policisë Rrugore për largimin e automjeteve të parkuara në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor, veçanërisht atyre që bllokojnë trotuaret, kryqëzimet dhe lëvizjen e këmbësorëve apo mjeteve të emergjencës.
Policia Rrugore e kryeqytetit është pajisur së fundmi me dy mjete të reja, një karrotrec dhe një platformë ngritëse, të cilat do të përdoren për heqjen e makinave të parkuara gabim apo “dysh”. Sipas autoriteteve, këto mjete pritet të intensifikojnë aksionin në ditët në vijim, duke rritur ndjeshëm numrin e automjeteve që do të hiqen nga rruga.
Sipas Policisë, mjetet e reja do të ndihmojnë në lehtësimin e punës së shërbimeve rrugore dhe në garantimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt të automjeteve, si dhe në përmirësimin e qarkullimit rrugor në kryeqytet, ku parkimet e paligjshme mbeten një nga problematikat kryesore.
Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos parkojnë mbi trotuare, në kryqëzime apo përpara hyrje-daljeve të institucioneve dhe banesave, si dhe të mos pengojnë lëvizjen e këmbësorëve, personave me aftësi të kufizuara dhe mjeteve të emergjencës.
Autoritetet paralajmërojnë se automjetet e parkuara gabim do të hiqen me mjet ngritës dhe do të dërgohen në pikat e bllokimit. Drejtuesit e tyre do të ndëshkohen me masa administrative për parkim të gabuar, për ngritjen e mjetit dhe për qëndrimin në bllokim.
Policia Rrugore fton qytetarët të bashkëpunojnë për një qarkullim sa më të rregullt dhe të sigurt, duke respektuar sinjalistikën, vijat e bardha dhe rregullat e parkimit, ndërsa aksioni në terren pritet të vijojë me intensitet të shtuar.
Lini një Përgjigje