TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Shkurt 2026, 14:23

Një në gjashtë shqiptarë vdesin nga kanceri: shifrat alarmante dhe një sistem shëndetësor në kolaps

Shkruar nga Pamfleti
Një në gjashtë shqiptarë vdesin nga kanceri: shifrat
Spitali Onkologjik /

Statistikat ndërkombëtare tregojnë një realitet të zymtë: kanceri është kthyer në një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në Shqipëri, ndërsa mungesa e barnave, diagnostikimi i vonuar dhe korrupsioni po e bëjnë betejën për jetën gjithnjë e më të pabarabartë...

Në heshtje, pa zhurmë politike dhe pa debat publik serioz, kanceri po shndërrohet në një nga vrasësit kryesorë në Shqipëri.

Sipas të dhënave të World Health Organization dhe Global Cancer Observatory, rreth 16% e të gjitha vdekjeve në vend lidhen me sëmundjet tumorale.

Praktikisht, një në gjashtë shqiptarë humbet jetën nga kanceri, duke e renditur atë si shkakun e dytë kryesor të vdekjeve pas sëmundjeve kardiovaskulare.

Në shifra absolute, kjo përkthehet në 3.000–5.000 vdekje çdo vit, ndërsa numri i rasteve të reja po rritet gradualisht.

Kanceri i mushkërive kryeson për nga vdekshmëria, veçanërisht te meshkujt, ndërsa te gratë dominon kanceri i gjirit; një panoramë tipike për Ballkanin, por me pasoja më të rënda në një sistem shëndetësor të dobët.

Problemi nuk janë vetëm shifrat.

Problemi është sistemi që dështon përpara sëmundjes.

Në Shqipëri, diagnostikimi i kancerit ndodh shpesh në faza të avancuara, kur trajtimi është më i shtrenjtë, më agresiv dhe me më pak shanse suksesi. Programet e skriningut ekzistojnë në letër, por funksionojnë dobët në praktikë, ndërsa mungesa e informimit dhe mosbesimi i qytetarëve e përkeqësojnë situatën.

Më alarmante është mungesa kronike e medikamenteve onkologjike.

Pacientët dhe familjarët e tyre raportojnë shpesh se barnat bazë mungojnë në spitale publike dhe duhet të sigurohen privatisht, me kosto të papërballueshme për shumicën. Në këtë terren të brishtë lulëzon korrupsioni galopant, ku trajtimi, prioriteti në lista apo edhe aksesimi i terapive moderne shpesh perceptohet si i lidhur me “njohje”, pagesa nën dorë ose kanale informale.

Ndryshe nga vendet e BE-së, ku kanceri po kthehet gradualisht në një sëmundje kronike të menaxhueshme, në Shqipëri ai mbetet shpesh një dënim me vdekje.

Jo vetëm për shkak të sëmundjes në vetvete, por për shkak të një sistemi që nuk garanton barazi, transparencë dhe trajtim dinjitoz.

Nëse sot një në gjashtë shqiptarë vdes nga kanceri, pyetja që duhet bërë nuk është vetëm mjekësore. Është politike, institucionale dhe morale: a po vdesin shqiptarët nga kanceri, apo nga dështimi i shtetit për t’i mbrojtur?/Pamfleti

 

kanceri sistemi shëndetësor në kolaps

Lini një Përgjigje