Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash, veçojmë:
Vijon konflikti, gjyqtarët i përgjigjen Ramës/ Boll me përbaltje kryeministrore
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar me tone të forta ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me kërkesën e tyre në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave.
Në një deklaratë për mediat, gjyqtarët e kanë cilësuar reagimin e Ramës si “përbaltje publike, mediatike dhe tërësisht histerike”, duke theksuar se procesi për të cilin bëhet fjalë është ende në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe duhet të trajtohet aty, jo në publik.
Në reagimin e tyre, gjyqtarët nënvizojnë se nisma e tyre nuk ka si qëllim rritjen e pagave, siç është paraqitur publikisht, por mbrojtjen e parimeve të shtetit të së drejtës dhe të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Kryeministri Edi Rama reagoi një ditë më parë nëpërmjet një video-mesazhi, ku akuzoi Shoqatën e Gjyqtarëve se po kërkonin “tinëz” rritjen e pagave të tyre, gjë që sipas tij do t’i kushtonte buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Sulmet e Ramës, reagon Shoqata e Prokurorëve: Fushatë populiste nga kryeministri, presion Kushtetueses
Shoqata e Prokurorëve ka reaguar menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Rama në një komunikim live mëngjesin e sotëm.
Sipas Shoqatës së Prokurorëve, presioni po i bën kryeministri Edi Rama nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.
Më tej në deklaratë, thuhet se kjo është një fushatë spekulative dhe populiste që synon linçimin e gjyqtarëve dhe ushtrimin e presionit mbi Gjykatën Kushtetuese.
Shkarkohet drejtoresha e "IdentiTek"/ Freskida Halilaj shkarkonte punonjësit që nuk firmosnin
Ministria e Punëve të Brendshme ka shkarkuar nga detyra drejtoreshën e "IdentiTek" Freskida Halilaj.
Motivet e qarta te shkarkimit nga detyra, nuk dihen ende.
Kujtojmë se Freskida Halilaj ka mbajtur postin e drejtoreshës së "IdentiTek" që prej muajit nëntor 2024.
Më parë këtë post e ka mbajtur Loina Prifti. Sot pritet të bëhet emërimi i drejtuesit të ri.
Rikujtojmë se disa muaj më parë, Pamfleti ka dencuar shkarkimet nga detyra të punonjësve të "IdentiTek" që nuk firmosnin kontratat e urdhëruara nga drejtoresha Freskida Halilaj.
“Pamfleti” ka mësuar pak kohë më parë se prej disa muajsh kanë plasur debatet dhe përplasjet brenda shoqërisë dhe shkak është bërë një tender, i cili është shumë i dyshimtë.
Raporti i Brukselit/ Administrata shqiptare e terrorizuar nga ministrat
Një raport fshikullues është miratuar në Bruksel për Shqipërinë, i cili rrezikon të bllokojë ose pezullojë ecurinë e mëtejshme të vendit drejt Bashkimit Europian.
I hartuar nga një grup ekspertësh të Komisionit Europian, inspektimi ka marrë shkas nga intervistimi i një pjese të administratës shqiptare. Ky lloj intervistimi është standard për aspekte studimi dhe kuptimi të gjendjes në marrëdhëniet e punës dhe nuk aplikohet gjithmonë, por vetëm në raste specifike për vendet që kërkojnë anëtarësimin në BE.
Raporti, i cili mësohet se është më tepër një dokument informal sesa pjesë e acquis communautaire, ka nxjerrë në dritë të dhëna tronditëse.
Punonjës të ministrive dhe institucioneve qendrore kanë rrëfyer para intervistuesve se ndihen të terrorizuar nga shefat e tyre.
Shembull i rëndë në këtë raport përmendet Mirela Kumbaro, ministre e Arsimit, e cila sipas dëshmive ka terrorizuar administratën. Kur kërkon realizimin e një detyre, ajo thuhet se urdhëron “mos flisni, duhet të ishte bërë”, pa argumentim dhe pa proces trajtimi.
Nga Ministria e Arsimit kanë shkuar ankesa edhe te kryeministri Edi Rama nga nëpunës të terrorizuar, por sipas raportit, ai ia ka përcjellë ankesat ministres përkatëse, e cila më pas ka ushtruar presion edhe më të madh ndaj autorëve të tyre.
Për më shumë, klikoni tek edicioni i lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje