
Rreth 40 familje nga fshati Guras, në bashkinë e Pogradecit, kanë protestuar kundër vendimit të Bashkisë Pogradec për t’i dhënë me qira tokat bujqësore një investitori privat për zhvillimin e agroturizmit.
Banorët shprehen të revoltuar, duke theksuar se sipërfaqet në fjalë i kanë përfituar sipas ligjit 7501 dhe i kanë shfrytëzuar në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa dhënia me qira është realizuar pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tyre.
Sipas tyre, përpjekjet për t’u pajisur me certifikata pronësie kanë dështuar, megjithëse toka ka qenë burimi kryesor i të ardhurave për familjet e tyre.
Ata paralajmërojnë se humbja e këtyre sipërfaqeve bujqësore do të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë familjare dhe do të dëmtojë aktivitetin bujqësor që kanë zhvilluar ndër vite.
Nga ana tjetër, administratori i subjektit që ka marrë tokën me qira ka deklaruar për mediat se prej dy vitesh e përdor këtë sipërfaqe në bazë të një kontrate të rregullt qiraje të lidhur me Bashkinë e Pogradecit. Ai ka sqaruar se në zonë parashikohet të realizohet një investim në agroturizëm dhe pemëtari, duke u shprehur i gatshëm për çdo verifikim mbi statusin e pronësisë.
Ndërkohë, burime nga Bashkia Pogradec bëjnë me dije se do të ngrihet një grup pune për të verifikuar pretendimet e banorëve dhe për të shqyrtuar dokumentacionin ligjor lidhur me pronësinë e tokave.
Lini një Përgjigje