TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Shkurt 2026, 20:40

Ndryshon rrjedha e hetimeve për sulmin ndaj Ranuccit: Tritoli për raportimet mbi Gjadrin

Shkruar nga Pamfleti
Ndryshon rrjedha e hetimeve për sulmin ndaj Ranuccit: Tritoli për
Sigfrido Ranucci

Sipas La Capitale News, një nga motivet e mundshme lidhet me një puntatë të emisionit “Report”, transmetuar më 21 prill 2024, me titull “(Hot) Spot Albanese”. Reportazhi trajtonte projektin e qendrave për migrantë të ndërtuara nga Italia në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër...

Një shpërthim pranë banesës së gazetarit Sigfrido Ranucci, një emër i njohur nga investigimet televizive dhe një pistë hetimi që kalon Adriatikun deri në Majami. Sipas raportimit të La Capitale News, atentati i 16 tetorit ndaj drejtuesit të emisionit “Report” po merr zhvillime të reja, ndërsa hetuesit po thellojnë atë që e quajnë “pista shqiptare”.

Në qendër të vëmendjes ndodhet Artur Shehu, 58 vjeç, sipërmarrës me origjinë nga Shqipëria, i përmendur në disa investigime gazetareske si figurë me lidhje të dyshuara me ambiente të krimit të organizuar në vendin e tij. Aktualisht ai jeton në Shtetet e Bashkuara, në Majami të Floridës. Sipas burimeve hetimore të cituara nga media italiane, edhe Drejtoria Hetimore Antimafia (DIA) ka marrë informacione nga Vlora për një përfshirje të mundshme të 58-vjeçarit në shpërthimin e ndodhur në Romë.

Prokuroria e Antimafias në Romë, me prokurorët Ilaria Calò dhe Carlo Villani, në bashkëpunim me karabinierët e njësive hetimore përkatëse, po punon për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes. Hetimi synon të identifikojë autorët materialë të vendosjes së lëndës shpërthyese dhe çdo përgjegjësi të mundshme në nivel urdhëruesish.

Sipas La Capitale News, një nga motivet e mundshme lidhet me një puntatë të emisionit “Report”, transmetuar më 21 prill 2024, me titull “(Hot) Spot Albanese”. Reportazhi trajtonte projektin e qendrave për migrantë të ndërtuara nga Italia në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe mes Romës dhe Tiranës. Në atë emision përmendej edhe emri i Shehut, i vendosur në një rrjet marrëdhëniesh dhe interesash që, sipas programit, përfshinin ambiente politike dhe institucionale shqiptare.

Në transmetimin e Raitre, 58-vjeçari përshkruhej si sipërmarrës i përmendur në hetime ndërkombëtare për lidhje të dyshuara me struktura të krimit të organizuar, përfshirë referenca ndaj Cosa Nostra-s dhe Sacra Corona Unita-s. Gjithashtu, sipas rindërtimit gazetaresk, Shehu do të kishte dhuruar 30 mijë metra katrorë tokë pranë Vlorës për një fondacion të lidhur me gjeneralin Fabrizio Lisi, në atë kohë drejtues i Interpol-it në Shqipëri. Media italiane raportoi se ndërmjetësimi i kësaj nisme do të ishte bërë nga avokati Enjell Agaci, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave në Shqipëri dhe bashkëpunëtor i kryeministrit Edi Rama.

Emri i Shehut është përmendur edhe në shtypin amerikan. Në mars 2021, Miami Herald publikoi një investigim për aktivitetet dhe jetën e tij në Majami Beach, duke përshkruar interesat dhe rrjetin e tij të marrëdhënieve.

Autoritetet italiane po verifikojnë të gjitha këto elemente, duke krahasuar informacionet e mbledhura në Shqipëri me të dhëna të mundshme mbi lëvizjet dhe kontaktet e Shehut në SHBA. Deri në këtë fazë nuk ka akuza formale, por hetuesit po analizojnë nëse ekziston një lidhje konkrete mes investigimit televiziv dhe atentatit.

Sipas La Capitale News, hetimi mbetet i hapur në disa drejtime. Emisioni “Report” ka trajtuar ndër vite çështje të ndjeshme si mafia, korrupsioni dhe trafiku ndërkombëtar. Autoritetet po shqyrtojnë edhe një episod të verës së kaluar, kur persona të paidentifikuar tentuan të hynin në banesën e dytë të gazetarit, për të vlerësuar nëse bëhet fjalë për presion të vazhdueshëm.

Në këtë kontekst, “pista shqiptare” konsiderohet aktualisht një nga drejtimet kryesore të hetimit, por jo e vetmja. Qëllimi i autoriteteve mbetet zbardhja e plotë e ngjarjes dhe identifikimi i çdo përgjegjësie të mundshme. /Pamfleti

sigfrido ranucci itali sulm

Lini një Përgjigje