Banorët e Durrësit që preken nga projekti TID kanë vijuar edhe këtë javë kundërshtimin ndaj zbatimit të tij, duke deklaruar se nuk kanë marrë asnjë zgjidhje konkrete pas takimit me kryeministrin Edi Rama.
Sipas tyre, projekti, i cili prek një numër të konsiderueshëm banesash në lagjen nr. 3, cenon të drejtën e pronës dhe nuk garanton një proces të drejtë shpronësimi. Ata shprehen se nuk do të lejojnë shembjen e shtëpive dhe paralajmërojnë rezistencë nëse do të ndërhyhet me mjete për prishjen e objekteve.
“Nuk dal nga shtëpia ime”, u shpreh një prej banorëve, duke shtuar: “Çfarë Europe, ky po na fut në gropë. Ai po sillet si Sulltan Murati”.
Disa prej tyre kanë përdorur edhe deklarata të forta, duke paralajmëruar se do të qëndrojnë brenda banesave në rast ndërhyrjeje, madje duke folur për sakrificë ekstreme. Këto deklarata janë bërë në kuadër të protestës së tyre dhe nuk ka informacion për veprime konkrete në këtë drejtim.
Pas takimit me kryeministrin të shtunën, banorët kanë nisur mbledhjen e firmave për një peticion drejtuar kryetares së Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), ku kërkojnë anulimin e vendimit që u kërkonte të lironin në mënyrë vullnetare banesat deri më 16 shkurt.
Ata kërkojnë pezullimin e projektit TID, hapjen e një dialogu me autoritetet për fatin e pronave të tyre dhe rishikimin e vlerës së shpronësimit, duke pretenduar se kompensimi duhet të bëhet sipas vlerës reale të tregut.
Lini një Përgjigje