Gjenerali Jasper Jeffers, duke folur në mbledhjen e Bordit të Paqes, paraqiti planin operacional për vendosjen e forcës ndërkombëtare të sigurisë në Gaza dhe njoftoi angazhimet e para konkrete nga disa vende.
Ai deklaroi se në afat të shkurtër forcat do të dislokohen fillimisht në sektorin e Rafahut, paralelisht me trajnimin e policisë lokale. Sipas tij, objektivi në afat të mesëm është zgjerimi i misionit “sektor pas sektori”, deri në arritjen e kapaciteteve të plota.
Në planin afatgjatë, Jeffers parashikon ngritjen e një strukture me 12 mijë policë dhe 20 mijë ushtarë të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (ISF).
Gjenerali njoftoi se pesë vende kanë konfirmuar angazhimin me trupa për ISF-në: Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria. Ai shtoi se Egjipti dhe Jordania kanë marrë përsipër trajnimin e forcave policore.
“Në afat të shkurtër, planifikojmë të dislokohemi fillimisht në sektorin e Rafahut, paralelisht me trajnimin e policisë. Objektivi në afat të mesëm është të vazhdojmë zgjerimin, sektor pas sektori. E gjithë kjo na çon drejt synimit afatgjatë: 12 mijë policë dhe 20 mijë ushtarë të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (ISF).
Jam jashtëzakonisht i kënaqur të njoftoj sot se pesë vendet e para kanë angazhuar trupa për të shërbyer në ISF: Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria. Dy vende kanë marrë përsipër të trajnojnë policinë: Egjipti dhe Jordania", tha ai.
Lini një Përgjigje