Në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) është zhvilluar seanca e radhës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i marrë i pandehur për çështjen e Gërdecit. Gjatë seancës, Mediu dhe avokati i tij, Ardian Visha, kundërshtuan pretendimet e prokurorisë, kryesisht lidhur me përcaktimin e Gërdecit si zonë për demontimin e armëve dhe çështjen e ndarjes së kalibrave.
Mediu deklaroi se përcaktimi i Gërdecit si zonë për këtë aktivitet është bërë një javë përpara nxjerrjes së urdhrit të ministrit, ndërsa theksoi se ndarja e kalibrave nuk është kompetencë e ministrit të Mbrojtjes, por rregullohet nga akte të tjera ligjore. Ai shtoi se do të vijojë të kundërshtojë pretendimet e SPAK.
“Ajo që po ndodh në këtë proces është që prokuroria ngarkon me përgjegjësi ligjore ministrin për një gjë që nuk është autoritet ligjor i ministrit. Kjo e bën situatën absurde. Sot jemi marrë me faktin e përcaktimit të Gërdecit. Është qartësisht përcaktuar 1 javë përpara urdhrit të ministrit. Ka pasur disa veprime në raport me këtë kontratë që është bërë përpara urdhrit të ministrit. Dhe autoritet amerikane kanë dhënë autorizimin për përcjelljen e makinerive të demontimit nëpërmjet një procesi strikt të verifikimit të kompanisë dhe licencave.
Pretendimet për leje që duhet të jepte ministri nuk janë të bazuara askund në ligj dhe ministri nuk mund ti referohet kërkesës që mund të vijë nga një subjekt privat për detyrimet që ka ligji. Edhe një çështje që u bë histori, ajo e kalibrave. Sipas vetë ekspertëve të prokurorisë, ata kanë deklaruar se nuk ka asnjë akt normativ për administrimin e municioneve sipas kalibrave. Kemi sjellë 5 urdhra të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm para kësaj VKM që provohet se municionet nga 20 deri 160 mm janë trajtuar si municione t kalibrit të vogël në procesin e demontimit me NATO, SHBA dhe Britaninë e Madhe. Këto nuk merren si provë nga prokuroria dhe nuk futen në proces”, tha Mediu.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK janë shkelur procedurat për ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar, si dhe ato që lidhen me administrimin e municioneve. Ish-ministri i ka mohuar këto akuza dhe ka kundërshtuar edhe gjetjet e ekspertëve.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut erdhi pas 12 vitesh, me iniciativën e familjes Durda, e cila humbi një të afërm në shpërthimin e 15 marsit 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur.
Lini një Përgjigje