Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Akuzat e SPAK/ GJKKO cakton trupën që do të gjykojë Veliajn dhe 10 të tjerët
GJKKO cakton trupën që do të gjykojë Veliajn dhe 10 të tjerët Është hedhur këtë të martë, më 5 maj, shorti elektronik për përzgjedhjen e trupës gjykuese që do të shqyrtojë çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe 10 të pandehurve të tjerë që nuk kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.
Sipas shortit, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), çështja do të shqyrtohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Elsa Ulliri në cilësinë e kryesueses, si dhe gjyqtarët Flora Hajredini dhe Besmir Stroka.
Kujtojmë se gjatë seancës së 27 prillit, gjykata vendosi ndarjen e dosjes në dy pjesë, pasi pranoi kërkesën e 11 të pandehurve për gjykim të shkurtuar. Mes tyre janë edhe biznesmeni Elman Abule dhe ish-deputetja Klotilda Bushka.
Ndërkohë, kërkesat e paraqitura nga mbrojtja e Erion Veliajt janë rrëzuar më herët nga gjykata. Avokati i tij, Plarent Ndreca, ka ngritur shqetësimin se në dosje përfshihen rreth 35 fashikuj me prova digjitale (CD dhe USB), të cilat, sipas tij, nuk janë hapur dhe as shqyrtuar gjatë fazës paraprake.
Call center-i i mafies/ Si funksiononte “kompania” me bazë në Tiranë që grabiste grekët?
Organizimi i paprecedentë, për një rrjet mashtrimi telefonik, me një strukturë të brendshme kaq të ndërlikuar dhe të gjerë (me 450 punonjës), që do t’i përshtatej vetëm një shoqërie të madhe aksionare, është elementi që e bën krejt të veçantë rastin e një zinxhiri call center-ash shqiptare. Tregues i kompleksitetit që karakterizon strukturën e këtij rrjeti kriminal është fakti se autoriteteve ligjzbatuese iu deshën dy vite të plota hetimi të thelluar për të arritur në çmontimin e organizatës dhe arrestimin e të paktën 10 të dyshuarve.
Rrjeti i mashtrimit, nga baza e tij në Tiranë, kishte shtrirë aktivitetin në vende të ndryshme të Europës, ndër të cilat edhe Greqia, shkruan Protothema në një artikull.
Edhe pse Europol dhe Eurojust nuk bëjnë publike detaje, si numri real i personave që ranë viktima të mashtrimit telefonik për investime në kriptomonedha, fitime të mëdha etj, është e sigurt se një pjesë e konsiderueshme e shumës prej 50 milionë eurosh që përfitoi rrjeti shqiptar vjen nga llogaritë bankare të qytetarëve grekë të mashtruar.
Metoda e veprimit të mashtruesve është tipike dhe, paradoksalisht, shumë e njohur, ndaj mbetet e pakuptueshme se si viktimat vazhdojnë të bien pre: telefoni celular i objektivit bie. Në ekran shfaqet një numër ose grek (me kodin +30) ose nga një shtet tjetër i besueshëm, si Belgjika apo Britania. Në të vërtetë, telefonata bëhet nga Tirana. Një zë i sjellshëm prezantohet si përfaqësues i një kompanie shumëkombëshe këshillimi investimesh. Premton fitime të menjëhershme dhe të mëdha, mbi të gjitha të sigurta.
Dita e Dëshmorëve të Atdheut/ Begaj dhe Rama homazhe te memoriali "Nena Shqipëri"
Në memorialin “Nëna Shqipëri” në Tiranë janë zhvilluar homazhe në nderim të Dëshmorëve të Atdheut.
Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Bajram Begaj vendosën kurora me lule pranë memorialit në Varrezat e Dëshmorëve, duke përkujtuar sakrificën e të rënëve për vendin.
Dita e Dëshmorëve lidhet me 5 majin e vitit 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili u shndërrua në një nga figurat simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, shteti shqiptar nuk kishte një status të përcaktuar ligjor për dëshmorët.
Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, u miratua ligji nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky akt parashikonte mbështetje edhe për familjet e patriotëve të rënë në periudha të mëparshme, përfshirë Rilindjen Kombëtare dhe luftërat për pavarësi.
Çfarë pritet/ Rama mbledh drejtuesit e PS në qarqe
Kryeministri Edi Rama ka thirrur në një takim, në selinë e PS-së, drejtuesit politik në qarqe. Takimi ka të bëjë me turin “Punët e Shqipërisë”, që Kryeministri Rama ka nisur disa javë më parë, në takime me strukturat e PS-së, por edhe me shtresa të ndryshme të shoqërisë.
Mësohet se në këtë mbledhje Kryeministri pritet të japë porositë e rradhës për drejtuesit politikë, por edhe të marrë informacione sa i takon zonave që ata mbulojnë. Rama ka zhvilluar deri më tani disa takime me strukturat dhe grupet e interesit si në Tiranë, Dibër e Fier, ndërsa pritet që turi të vijojë në qarqet e tjera.
Turi "Punët e Shqipërisë" është një cikël takimesh i nisur nga kryeministri Edi Rama, duke angazhuar strukturat e Partisë Socialiste, drejtuesit e qarqeve dhe kryebashkiakët për të prezantuar bilancin e projekteve.
Ky tur synon diskutimin e nismave të reja dhe monitorimin e punimeve në infrastrukturë. Turi është konsideruar si një parafushatë që Kryeministri Rama ka nisur për zgjedhjet vendore të 2027-ës, ndërsa në jo pak raste e ka lidhur kandidimin e kryebashkiakëve aktualë, me përmbushjen e angazhimeve të tyre, veçanërisht sa i takon projektit ‘paketa e maleve’.
Rama ka vendosur theksin në planet e qeverisë për projektet në infrastrukturë, rritjen e pensioneve, ndërsa vëmendja tashmë do të përqëndrohet te turizmi, i cili pritet të çelet zyrtarisht.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje