
Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, ka paraqitur sot një kërkesë të re në Gjykatën e Lartë për të rrëzuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë (GJKKO) që nga nëntori i 2023-ës, në lidhje me dosjen e aferës “Partizani”.
Në kërkesën e tij, Malltezi argumenton se masa e arrestit shtëpiak duhet të revokohet, duke qenë se dosja tashmë ka kaluar në fazën e gjykimit në Gjykatën e Posaçme. Ai ka përmendur si precedent juridik edhe vendimin e Gjykatës së Strasburgut në çështjen “Gëllçi kundër Shqipërisë”, që lidhet me masat shtrënguese, për të mbështetur kërkesën e tij.
Kërkesat e mëparshme të Malltezit për zbutjen ose heqjen e kësaj mase janë refuzuar në të trija shkallët e gjyqësorit, duke mos arritur asnjë ndryshim. Ndërkohë, vjehrri i tij, Sali Berisha, i cili gjithashtu është i akuzuar në të njëjtën dosje, ka përfituar një lehtësim mase në fillim të vitit 2025, kur GJKKO e ktheu arrestin e tij shtëpiak në “detyrim paraqitjeje”.
Dosja “Partizani” përfshin akuzat ndaj Berishës për korrupsion pasiv dhe ndaj Malltezit për pastrim parash, ndër të tjera. Së bashku me ta, të pandehur janë edhe tre persona të tjerë, përfshirë dy biznesmenë, ortakë të Malltezit në ndërtimin e komplekseve të pallateve me vlerë miliona euro. Procesi gjyqësor për këtë çështje ka avancuar dhe tashmë është në fazën e shqyrtimit gjyqësor.
Lini një Përgjigje