Policia bllokon derën e Këshillit Bashkiak të Bulqizës, duke mos lejuar pjesëmarrjen e banorëve...
Nuk kanë fund bëmat e kryetares së Bashkisë së Bulqizës, Festime Mjeshtri. Pavarësisht kundërshtive të banorëve, kryebashkiakja bashkë me këshilltarët e saj në Këshillin Bashkiak, kanë tentuar të mblidhen sot për të mbyllur pazarin e parqeve fotovoltaikë.
Situata është tensionuar më tej nga prania e forcave të shumta të policisë, të cilat kanë penguar hyrjen e banorëve në sallën e mbledhjes. Ndërkohë, edhe këshilltarët e djathtë nuk janë lejuar të futen, pasi dera e sallës ka qenë e mbyllur. Atyre u është komunikuar se mbledhja është shtyrë për një ditë tjetër
Sipas banorëve, ky projekt cenon drejtpërdrejt kullotat që ata përdorin prej vitesh për blegtorinë, duke rrezikuar jetesën e tyre.
Banorët pretendojnë gjithashtu se procesi i miratimit të projektit është shoqëruar me parregullsi, pasi firmat në mbështetje të paneleve, sipas tyre, janë mbledhur edhe nga persona që nuk jetojnë aty.
Skandali me pronat
Dokumentet e publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik tregojnë se më 23 shkurt 2026 Bashkia Bulqizë zhvilloi ankand për dhënien në përdorim të 21 hektarëve në fshatin Lubalesh. Kontrata u lidh më 9 mars 2026.
Vlera fillestare ishte 176 mijë lekë për hektar në vit, me total rreth 3.69 milionë lekë. Oferta fituese rezulton 3,698,100 lekë në vit. Në procedurë mori pjesë vetëm një operator ekonomik.
Fitues u shpall “Balla Energy Group” sh.p.k., kompani me seli në Bulqizë dhe në pronësi të Artan Ballës. Mungesa e konkurrencës lidhet drejtpërdrejt me një fakt tjetër: nuk rezulton njoftim publik në kanalet zyrtare të bashkisë apo të Këshillit Bashkiak për hapjen e ankandit.
Ligji për administrimin e pronës publike dhe vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave kërkojnë procedurë të hapur, njoftim paraprak dhe transparencë mbi sipërfaqen, vendndodhjen dhe kushtet e përdorimit. Në këtë rast, këto elemente nuk dokumentohen publikisht.
Rasti i Lubaleshit nuk është i izoluar. Në tetor 2025, Bashkia Bulqizë zhvilloi një dëgjesë publike që zgjati 25 minuta, me pjesëmarrje kryesisht nga administrata. Në atë takim u prezantua plani për dhënien me ankand të 52 parcelave nga fondi pyjor dhe kullosor, në zona si Ramnagorja, Luçan-Batër, Thekna, Klenja, Okshtuni dhe Zerqani.
Parcelat u paraqitën vetëm me numra identifikues, pa të dhëna për sipërfaqen, kufijtë dhe përdorimin aktual. Banorët kërkuan informacion të detajuar dhe konsultim në terren. Kjo nuk ndodhi.
Po ashtu, në fillim të vitit 2026, Bashkia Bulqizë zhvilloi një tjetër ankand për 85.9 hektarë në fshatin Melcu, Njësia Administrative Martanesh. Sipas Buletinit të Prokurimeve Publike, procedura u shpall më 31 dhjetor 2025 dhe u zhvillua më 26 janar 2026. Edhe në këtë rast mori pjesë vetëm një operator: “ALB-ML Solar Energy Investment” sh.p.k., që u shpall fitues me ofertë 11,467,600 lekë në vit.
Ngjarja në Këshillin Bashkiak dhe dokumentet e ankandeve tregojnë të njëjtin model: vendimmarrje pa pjesëmarrje, procedura me konkurrencë minimale dhe mungesë njoftimi publik.
Banorët mbeten jashtë sallës. Tokat kalojnë në përdorim për projekte energjie me një ofertë të vetme. Institucioni vendor mbyll derën fizike dhe procesin administrativ në të njëjtën kohë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje