
Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zeze, ku ndër të tjera veçojmë:
Në Gjykatën e Posaçme vijon procesi për dosjen “Partizani”, ku Taulant Balla është përballur me pyetje nga Jamarbër Malltezi për mënyrën e sigurimit të dokumenteve me te cilat beri kallezimin.
Balla ka deklaruar se një pjesë e provave janë marrë zyrtarisht dhe një pjesë nga denoncime qytetare, ndërsa debati mes palëve është shoqëruar me tension në sallën e gjyqit.
Ndërkohë, Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro është paraqitur në SPAK, në kuadër të hetimeve për çështjen “Harabeli”, që lidhet me dosjen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa.
Në rendin e zhvillimeve të tjera, drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita ka zhvilluar takime në Korçë dhe Elbasan, duke kërkuar goditje më të forta ndaj drogës dhe krimit të organizuar, si dhe rritje të sigurisë publike.
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për skandalin e Onkologjikut, duke dërguar për gjykim 6 persona, mes tyre mjekë dhe zyrtarë të QSUT, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe abuzime me pacientët.
Në Lezhë, një person i shpallur në kërkim për vrasjen e çiftit Mujeci ka mohuar përfshirjen dhe ka deklaruar se pret të vetëdorëzohet, ndërsa policia vijon kërkimet.
Në Tiranë, policia goditi një grup narkotrafiku duke sekuestruar mbi 1 kg kokainë dhe duke arrestuar një 26-vjeçar, ndërsa dy bashkëpunëtorë janë në kërkim.
Në Itali u arrestua një 36-vjeçar shqiptar i kërkuar për tentativë vrasjeje në aeroportin “Malpensa”, ndërsa një tjetër 34-vjeçar u ekstradua nga Italia në Gjermani për trafik droge.
Në Elbasan u zbulua një bazë prostitucioni dhe droge ku u arrestuan 4 shtetase të huaja, ndërsa organizatori shqiptar është shpallur në kërkim.
Sipas Eurostat, Shqipëria renditet ndër 10 vendet e para në Europë për vrasjet me dashje, me 1.71 raste për 100 mijë banorë në vitin 2024, duke reflektuar një rritje krahasuar me një vit më parë.
Lini një Përgjigje