TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Prill 2026, 11:01

Gjyqi ndaj Berishës, Taulant Balla dëshmon sot në GJKKO; Rama në radhë

Shkruar nga Pamfleti

Në listën e dëshmitarëve në gjyqin e Berishës është edhe kryeministri Edi Rama, por dëshmia e tij do të merret vetëm pasi të përfundojë paraqitja e provave nga prokuroria. 

Gjyqi ndaj Berishës, Taulant Balla dëshmon sot në GJKKO; Rama
Taulant Balla dëshmon sot në GJKKO

Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për çështjen “Partizani”, pritet të dëshmojnë tetë prej tyre dëshmitarëve, mes të cilëve është edhe deputeti socialist Taulant Balla.

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla është thirrur në cilësinë e kallëzuesit të çështjes.

Seanca është planifikuar të nisë në orën 12:30, ku palët do të përballin argumentet dhe faktet në sallën e gjyqit. Fillimisht, prokuroria do të paraqesë provat e saj, duke nisur me dëshmitarët.

Para trupës gjykuese do të paraqiten ish-drejtues të klubit “Partizani”, përfshirë ish-presidentët Albert Xhani dhe Paro Laçi, si dhe ish-drejtorë të kompleksit, të cilët pritet të hedhin dritë mbi mënyrën e kalimit të pronësisë së truallit. Sipas hetimeve të SPAK, në disa raste janë pretenduar oferta apo favore për të mos kundërshtuar procesin e privatizimit.

Në listë janë edhe ish-zyrtarë të Agjencisë së Pronave në Tiranë, të përfshirë në shqyrtimin e dosjes së ish-kompleksit sportiv, e cila konsiderohet ndër të parat e trajtuara nga ky institucion.

Në listën e dëshmitarëve në gjyqin e Berishës është edhe kryeministri Edi Rama, por dëshmia e tij do të merret vetëm pasi të përfundojë paraqitja e provave nga prokuroria. 

Rama pritet të japë shpjegime në cilësinë e ish-kryebashkiakut të Tiranës, lidhur me ndryshimin e destinacionit të truallit të ish-kompleksit “Partizani”.

Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi kanë kërkuar thirrjen si dëshmitar të kreut të qeverisë Rama pasi pretendojnë se Rama ka përgjegjësi në lidhje me lejet e ndërtimit të dhëna te klubi "Partizani" gjatë kohës që ai ishte kryebashkiak i Tiranës.

GJKKO do të vijojë shqyrtimin e dosjes “Partizani” në seancën e radhës, në datën 30 prill, ora 12:00, ku pritet të dëgjohet si dëshmitar i parë Taulant Balla, i cili njëkohësisht është edhe kallëzues në këtë çështje.

Dosja “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj dhe Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.

taulant balla dëshmon sot në gjkko gjyqi i berishës

Lini një Përgjigje