
Bordi i Transparencës ka vendosur sot rritjen e çmimit të karburanteve në vend, duke reflektuar ndryshimet më të fundit në treg. Sipas vendimit, çmimi i naftës është rritur me 5 lekë për litër, duke arritur në 208 lekë/litër, nga 203 lekë/litër që ishte përcaktuar më parë.
Ndërkohë, edhe çmimi i benzinës është rritur me të njëjtën vlerë. Nga ora 13:00 e ditës së sotme, benzina do të tregtohet me 185 lekë/litër, nga 180 lekë/litër që ishte më herët.
Sipas Bordit të Transparencës, çmimet e reja do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, kur do të rishikohen në bazë të luhatjeve të tregut ndërkombëtar dhe faktorëve të tjerë ekonomikë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të zbatojnë vendimin në mënyrë rigoroze. Në rast të shkeljeve, paralajmërohet se do të ndërmerren masa deri në pezullim të aktivitetit.
Njoftimi i Bordit të Transparencës:
Bordi i Transparencës në datë 30 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 208 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 196 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 185 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 173 lekë/litër.
-Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 30 ora 13.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
-Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
-Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
-Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarw dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë per llogaritjen e cmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Lini një Përgjigje