
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, një vit pas arrestimit të tij. Në të njëjtën çështje janë të pandehur edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona të tjerë.
Gjatë një debate televiziv, analisti Arion Sulo deklaroi se procesi hetimor ka tejkaluar afatet e paraburgimit dhe se prokuroria ka vepruar jashtë kufijve të kompetencave. Sipas tij, Veliaj nuk është njohur ende me dosjen hetimore, e cila përmban rreth 60 mijë faqe dokumentacion.
Sulo theksoi se sistemi i burgjeve nuk ofron mjetet minimale për shqyrtimin e një materiali kaq voluminoz dhe se kryebashkiaku ndodhet pa mbrojtje ligjore. Ai shtoi se materialet audio të publikuara së fundmi kanë ngritur dyshime mbi mënyrën e veprimit të prokurorëve gjatë hetimit.
Analisti vuri në dukje se në këtë çështje ka të pandehur për të cilët afatet procedurale kanë përfunduar, por që vijojnë të mbahen të përfshirë për shkak të pozicionit të Veliajt. Sipas tij, përgjegjësi për situatën mbajnë si SPAK ashtu edhe Gjykata e Posaçme.
Në analizën e tij në Top Story, Sulo foli edhe për një ndryshim në qëndrimin publik të kryeministrit ndaj Veliajt, duke e lidhur këtë me zhvillime të tjera politike dhe hetimore. Ai theksoi se, pavarësisht kalimit të dosjes për gjykim, Veliaj vijon të mbahet në paraburgim.
Kalimi i çështjes në fazën e gjykimit hap një etapë të re procedurale, ndërsa diskutimet mbi respektimin e afateve ligjore dhe të drejtave të mbrojtjes mbeten pjesë e debatit publik.
Lini një Përgjigje