Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë lidhur me protestën e paralajmëruar nga Partia Demokratike, e cila pritet të zhvillohet të martën, më 10 shkurt, në orën 17:00, në qendër të kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, protestuesit pritet të mblidhen përpara ndërtesës së Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza. Autoritetet shqiptare kanë njoftuar për prani të shtuar të policisë, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit, ndërsa disa kryqëzime në qendër të Tiranës mund të mbeten të pakalueshme.
Protesta e mëparshme e mbajtur më 26 janar u shoqërua me akte dhune, përfshirë hedhje të koktejve molotov drejt godinës së Kryeministrisë, përdorim të gazit lotsjellës nga policia dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të rendit. Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet për sigurinë gjatë tubimeve të ardhshme.
Ambasada thekson se, ndonëse demonstratat shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të përshkallëzohet shpejt dhe protesta mund të shtrihet në zona përreth, përfshirë ndërtesa qeveritare dhe blloqe të tjera të qytetit.
Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë u rekomandohet të shmangin zonën e protestës, të tregojnë vigjilencë të shtuar dhe të monitorojnë zhvillimet përmes mediave lokale. Në njoftim këshillohet gjithashtu kufizimi i shpërqendrimeve si përdorimi i telefonave apo kufjeve gjatë lëvizjes në qytet, si dhe mbajtja e një plani emergjence për dalje të sigurt në rast përkeqësimi të situatës.
Lini një Përgjigje