Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore nga vendi, rajoni e bota deri në këtë orë, ku ndër të tjera veçojmë:
Pretenca e Prokurorisë së Hagës për 180 vite burg ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka ndezur reagime të forta në Prishtinë dhe Tiranë. Gjykata thekson se akuzat lidhen me krime lufte dhe kundër njerëzimit, duke sqaruar se nuk ka qëndrim kundër UÇK-së si organizatë. Në Kosovë paralajmërohen protesta, ndërsa vendimi cilësohet “tmerrësisht i turpshëm”.
Në Shqipëri, drejtësia është në qendër të zhvillimeve. Dosja e Erion Veliajt kalon për gjykim një vit pas arrestimit, me avokatët që pretendojnë shkelje procedurale. Ndërkohë, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës për korrupsion zgjedhor.
Kryeministri Rama paralajmëron ndryshime në Kodin Penal dhe jep sinjale politike në mes të debatit për çështjen “Balluku”, ku opozita e akuzon për ndërhyrje në hetime. Berisha njofton protestën e 10 shkurtit si “kryengritje paqësore”, ndërsa në dosjen “Partizani” tensionet shpërthejnë në sallën e gjyqit me akuza për prokurorë politikë.
Në frontin e hetimeve ekonomike, arrestohet biznesmeni Gjergji Fela për skemë mashtrimi me TVSH, ndërsa OLAF zbarkon në Shqipëri për një tjetër hetim mbi abuzimin me fondet e BE-së, këtë herë në lidhje me misionin “Frontex”.
Protesta vijojnë edhe në terren: në Velipojë kundërshtohet projekti në Baks-Rrjoll, ndërsa në Vlorë po hetohet dhunimi i avokatit Kujtim Cakrani. Mes dhimbjes, familja Kola do të prehet në atdhe pas mbledhjes së 75 mijë eurove.
Në rajon, ambasadori britanik kërkon nga Serbia respektimin e detyrimeve dhe nga Kosova formimin e Asociacionit. Në arenën globale, Lavrov përjashton partneritet ekonomik me SHBA-në pavarësisht deklaratave të Trump për “ringjallje raportesh”. Ndërkohë, një zhvillim i bujshëm: Trump njofton vizitën e Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë, duke sinjalizuar një zbutje të mundshme të marrëdhënieve Kinë-SHBA.
Lini një Përgjigje