Është mbyllur pas rreth gjashtë orësh seanca gjyqësore për dosjen “Partizani”, gjatë së cilës Jamarbër Malltezi lexoi mbi 200 faqe materiale dhe dokumentacion për të kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij.
Sipas njoftimit, seanca e radhës është shtyrë për në 23 shkurt, ora 10:00.
Gjatë seancës, Malltezi ka pasur përplasje verbale me trupin gjykues lidhur me mënyrën e adresimit të prokurorëve, duke pretenduar se ata kanë kryer deklarime të rreme.
“Kam mbi 30 deklarime të rreme që përbëjnë edhe element penal nga ana e prokurorëve”, ka deklaruar Malltezi, ndërsa gjykata ka ndërhyrë duke i kërkuar që t’u drejtohej atyre vetëm me termin “prokuror”.
Ai tha se materialet e paraqitura prej tij janë të gjera dhe përfshijnë dokumente, harta dhe fotografi, duke shtuar se një pjesë e tyre do të botohet së shpejti.
“Një pjesë e kemi bërë publike dhe një pjesë e kemi bërë si botim. Brenda katër ditësh do të dalë si libër, që ta kenë bibliotekat për studentët dhe pedagogët, si rast për të parë se ku mund të rrëshqasë drejtësia politike”, u shpreh Malltezi.
Gjatë fjalës së tij, ai ngriti akuza për vendime të personalizuara dhe trajtim të pabarabartë, duke përmendur edhe raste konkrete, të cilat i cilësoi si “elementë groteskë”.
“Kishte sa të doni nga ato elementët groteskë, të cilët i treguam qartë që kishim të bënim me gënjeshtra”, tha ai, duke shtuar se, sipas tij, ka pasur edhe probleme në cilësimet ligjore të çështjes.
Lini një Përgjigje