
Partia Demokratike do të zhvillojë ditën e nesërme, në orën 17:00, protestën e radhës para Kryeministrisë.
Policia ka njoftuar se ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës kombëtarë të Partisë Demokratike, e cila do të mbahet ditën e nesërme, 10 shkurt, në orën 17:00, para Kryeministrisë.
Sipas njoftimit zyrtar, për mbarëvajtjen e tubimit, Policia e Tiranës do të kufizojë lëvizjen e automjeteve në disa akse dhe segmente rrugore në kryeqytet, duke nisur që nga dita e sotme.
Konkretisht, nga ora 23:45 e ditës së sotme do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Ndërkohë, nga ora 15:00 e ditës së nesërme dhe deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të qarkullimit të automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia paralajmëron se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, uniformat blu bëjnë me dije se janë parashikuar masa për devijimin e automjeteve në rrugë alternative, me qëllim lehtësimin e qarkullimit për qytetarët.
Në apel drejtuar qytetarëve, Policia e Tiranës kërkon shmangien e lëvizjes me automjete në akset që do të bllokohen, si dhe përdorimin e rrugëve alternative, për të mos penguar lëvizjen e pjesëmarrësve në tubim.
Ashtu si në protestat e tjera të organizuara nga Partia Demokratike, Policia u bën sërish thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo veprim i dhunshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike. Duket se policia po sinjalizon skenare dhune, ashtu si në protestën e fundit ku tubuesit hodhën molotovë dhe gjithashtu u konfliktuan fizikisht me punonjësit e policisë.
Ndërsa policia hodhi sërish ujë dhe gaz lotsjellës mbi protestuesit me qëllim shpërndarjen e tyre.
"Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 17:00, para Kryeministrisë.
Me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Policia e Tiranës i ben thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kunderligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike", thuhet në njoftim e policisë.
Lini një Përgjigje