TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Shkurt 2026, 12:40

Procesi ndaj Veliajt/ GJKKO kalon për gjykim dosjen e SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Procesi ndaj Veliajt/ GJKKO kalon për gjykim dosjen e SPAK
Erion Veliaj gjatë seancës në Kushtetuese

GJKKO ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen e SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Një vit nga momenti kur u arrestua, GJKKO ka vendosur që dosja në ngarkim të Kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, por edhe personave të tjerë të përfshirë në të, të kalojë për gjykim.

Vendimi është marrë në seancën paraprake, ndërsa Kryebashkiaku i Tiranës ka ngrituir vazhdimisht pretendimet se nuk po arrin të njihet me dosjen në mënyrë që të përgatitet për mbrojtjen.

Nga ana tjetër, mbrojtësit ligjorë të Kryebashkiakut e ka cilësuar procesin si të parregullt dhe me shkelje të rënda.

“Për shkak të shkeljeve të rënda të procesit të rregullt ligjor gjatë seancave paraprake, avokatët e çështjes ku po gjykohen kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe të pandehur të tjerë, kanë bojkotuar seancën e sotme ku merret vendimi për të kaluar gjykimin në themel ose jo”, thuhet në një reagim të tyre.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi më 3 nëntor të vitit të kaluar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke e gjetur atë të papajtueshëm me Kushtetutën.

 

 

gjkko veliaj dosja

Lini një Përgjigje