Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të shpallë sot vendimin lidhur me dosjen penale ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke përcaktuar nëse ajo do të kalojë ose jo në gjykim.
Në seancën paraprake të 2 shkurtit, gjyqtarja Etleva Deda përfundoi shqyrtimin e çështjes dhe caktoi datën 9 shkurt, ora 12:00, për shpalljen e vendimit. Seanca u shoqërua me kundërshtime nga Veliaj dhe mbrojtja e tij, të cilët kërkuan shtyrje me arsyetimin se nuk ishin njohur plotësisht me materialet hetimore.
Gjykata e rrëzoi kërkesën për shtyrje, ndërsa Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares dhe u largua nga seanca. Pavarësisht kësaj, gjyqtarja Deda e konsideroi të përfunduar fazën e mbrojtjes dhe vijoi procedurën. Më pas, kërkesa për përjashtimin e saj u refuzua, duke konfirmuar se vendimi do të shpallet nga e njëjta gjyqtare.
Erion Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. Në të njëjtën dosje janë dërguar për gjykim edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona dhe subjekte të tjera tregtare.
SPAK ka ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit. Pjesa kryesore e akuzave lidhet me korrupsionin pasiv në disa raste, ku sipas hetimeve, Veliaj ka përfituar shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga kompani që më pas kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Ajola Xoxa përballet me akuza të ngjashme për korrupsion pasiv, si edhe për pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim pasurie. Ndërkohë, disa biznesmenë akuzohen për korrupsion aktiv, pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave.
Në këtë dosje, ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që kanë penguar zbardhjen e çështjes, ndërsa Fatjon Baci, punonjës i burgut të Durrësit, akuzohet se i ka dhënë telefon Veliajt gjatë transferimit të tij drejt gjykatës në dy raste.
Vendimi i sotëm i GJKKO-së pritet të përcaktojë fazën e ardhshme të një prej çështjeve më të bujshme penale në vend.
Lini një Përgjigje