TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Shkurt 2026, 22:24

A do të ketë Shqipëria një ambasador amerikan para largimit të Trump?

Shkruar nga Pamfleti
A do të ketë Shqipëria një ambasador amerikan para largimit
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë nga pas

SHBA-ja ka ndryshuar strategji, nuk është më prezent në shtëpitë e aleatëve, por i detyron ata të vrapojnë e të grinden kush paguan më shumë për një vizitë në oborrin e saj...

Shtetet e Ballkanit vijojnë të jenë pa prezencën e një ambasadori amerikan. Aktualisht Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut janë pa një të tillë. Disa prej tyre nuk kanë një ambasador që para ardhjes së Donald Trump në pushtet, disa të tjerë që pas ardhjes së tij në pushtet.

Ky efekt u nis nga të besuarit e Trump që në vitin 2024, me JD Vance që la pezull një sërë nominimesh të paraqitura nga administrata e Joe Biden. Më pas, me ardhjen e administratës Trump u vendos që do të bëhej një riformatim i trupës diplomatike të SHBA-së nëpër botë, gjë që solli tërheqjen e disa ambasadorëve në disa vende dhe la pa propozime vende që tashmë kishin pothuajse tre vite pa prezencën e një ambasadori, siç është rasti i Shqipërisë.

Mungesa e një ambasadori amerikan në vendet e Ballkanit do të thotë dorë e lirë për të mëkatuar për liderët me tendenca autokratike gjithnjë në rritje të Ballkanit perëndimor, por siç dihet, mëkatet paguhen në fund.

Në pamje të parë, kjo qasje e administratës Trump u duk sikur SHBA-ja po hiqte dorë nga influenca e saj në Ballkan, por koha tregoi krejt diçka tjetër. Pas më shumë se një viti qeverisje nga ana e Donald Trump-it, kuptuam se filozofia e Presidentit të SHBA-ve është: “asgjë nuk është falas”, që do të thotë se për të pasur kontakte me SHBA-në, shtetet, qeveritë, liderët, politikanët duhet të paguajn.

Thënë më ndryshe, prezenca e një ambasadori e bënte fare të thjeshtë dhe pa kosto dërgimin dhe marrjen e mesazheve dhe kodeve nga SHBA-ja për veprime të caktuara politike dhe më gjerë. Ambasadori shërbente si ndërmjetës, por ky proces i gjithi paguhej nga fondet e SHBA-së. Me ardhjen e Donald Trump-it, gjërat kanë ndryshuar. Ambasadat janë zbrazur pothuajse dhe funksioni i tyre në vendet ku operojnë është minimizuar aq shumë sa që reagimi më i shpeshtë i tyre është ripostimi në rrjete sociale i deklaratave të Trump dhe Marco Rubio. Kontakti me zyrtarë të administratës Trump tashmë kushton miliona.

Këtë mandat të dytë Trump e ka përdorur pozicionin e tij dhe pikërishtë këtë boshllëk, për të pasuruar familjarët, njerëzit e afërt dhe ata të cilët i qëndruan besnik gjatë kohës që ai luftonte për të marrë një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, të cilin ai pretendonte që Joe Biden ia vodhi. Kjo qasje e Trumpit nuk fshihet, ajo bëhet hapur dhe Presidenti i SHBA-ve e promovon me pompozitet.

Që prej ardhjes së tij në pushtet, një lumë lobimesh miliona dollarë kanë vërshuar në kompanitë lobuese të drejtuara nga njerëz të afërt të zyrtarëve të administratës së Trumpit. Nga Shqipëria te Serbia e deri në Bosnje e Hercegovinë liderë dhe politikanë të ndryshëm kanë shpenzuar miliona dollarë lobime zyrtare dhe të nëndheshme për të arritur te administrata Trump; kush për të hequr njollën nga DASH, kush për të hequr sanksione nga Departamenti i Thesarit, e disa të tjerë për t’u siguruar se pushteti i tyre i kalbur nuk do t’u shembet në sekondë, si rasti i Maduros së Venezuelës.

Kjo qasje e re e Trumpit që kush ka nevojë duhet të paguajë për ndihmën e SHBA-së ka rezultuar e suksesshme dhe shifrat e tregojnë këtë gjë. Që nga janari 2025, fillimi i mandatit të dytë të Donald Trumpit, deri në janar 2026, shpenzimet totale zyrtare për lobim federal në SHBA arritën shifrën e 5.08 miliardë dollarë, sipas analizës së ‘OpenSecrets’ (organizata kryesore që monitoron lobimin në SHBA), bazuar në raportet federale të dorëzuara deri në fund të 2025-s. Kjo shifër është një rekord historik në SHBA, ku për herë të parë shpenzimet zyrtare për lobim në Uashington kanë kaluar shifrën e 5 miliardë dollarëve.

Në krahasim me vitin e fundit të Joe Biden në pushtet ka një rritje prej 635 milionë dollarësh në lobime dhe pritet që vitin e ardhshëm kjo shifër të tejkalohet. Në këto kushte dhe me këto shifra është jo pak por e sigurt të thuhet se koha e ambasadorëve në vende si Shqipëria, Kosova dhe Serbia ka përfunduar. SHBA-ja ka ndryshuar strategji, nuk është më prezent në shtëpitë e aleatëve, por i detyron ata të vrapojnë e të grinden kush paguan më shumë, për një vizitë në oborrin e saj./Pamfleti

shba ambasadori

Lini një Përgjigje