Ditën e sotme banorët e Rrjollit e kanë zhvendosur protestën e tyre përpara Prokurorisë së Shkodrës.
Ata kërkojnë nga drejtësia që të thotë fjalën e saj, pastaj të vijojnë lirisht punimet.
Banoret akuzojnë se kjo është një grabitje e pronës me prapavijë politike. Tani ata po zhvendosen për të protestuar përpara bashkisë Shkodër.
Më 6 shkurt, banorët ndaluan me forcë punonjësit e kompanisë të vazhdonin punimet, ndërsa përplasjet vazhduan edhe të shtunën, kur policia shoqëroi në komisariat disa prej banorëve.
Pronarët legjitimë të tokave bëjnë të ditur se nuk do të tërhiqen nga protestat derisa projekti të pezullohet plotësisht.
Banorët kërkojnë takim me investitorin Bashkim Ulaj, ndërsa kushti i tyre është pezullimi i punimeve deri në gjetjen e një dakordësie.
Mes atyre që protestojnë janë edhe qytetarë nga Kosova, të cilët kanë blerë tokë në këtë zonë.
Bashkim Ulaj i njohur si biznesmeni i Berishës para ardhjes së Ramës në pushtet tanimë është përfituesi më i madh i pasurive dhe parave publike, mbi 3 miliardë euro.
Në një deklaratë për mediat, protestuesit u shprehën se:
“Katër breza, babë, gjysh, katragjysh, që jemi këtu. Me na dhënë urdhna, zotni? Këtu më ka lënë gjyshi, këtu më ka lënë baba, këtu kam lerë vetë. I bëjmë thirrje edhe njëherë shtetit shqiptar, me një pikë pështymë, të nxjerrë ekzaktesisht se ku mund të ketë linjë ndonjë dhe çfarë trashëgimtari ka pasur ai aty. Po ka pasur, le të shkruhet tërësisht.
Ne i bëjmë një thirrje popullit të na mbështesë dhe të gjithë institucioneve shtetërore që ta vënë dorën në zemër, mos ta lëshojnë këtë popull në gjakderdhje.
E keni parë edhe ju çfarë po bën policia tani dy ditë. Ne po rrimë më shumë në polici sesa te tokat tona. I bëjmë thirrje shtetit të na japë rrugëzgjidhje, i bëjmë thirrje asaj gjykate të na japë një rrugëzgjidhje. Ju falenderoj të gjithëve dhe me respekt.”
Një tjetër banore, Elena Pjeshka, është shprehur se kjo që po ndodh është një padrejtësi.
“Axhat e mi, babai im, gjyshi im janë gjallë. Duam drejtësi! Ju lutem shumë. Kemi ardhur prej Anglisë. Kam qenë sa kjo vajza kur kam çuar babain tim atje duke parë tokat tona, dhe sot nuk na lënë të ulem atje poshtë.
Është e drejta jonë. Sot kemi ardhur prej Anglisë, jemi gjallë, e kemi marrë edhe shi, edhe borë, edhe stuhi këtu. Dhe duam gjakun tonë! Nuk na ndalon asgjë. Kjo tokë është e jona. Ka le, babai, gjyshi, stërgjyshi, katër stërgjyshërit kanë ler atje. Sot na thonë se toka nuk është e jona. Kush është ai? Duam drejtësi! Duam drejtësi! Duam drejtësi! Duam drejtësi! Sot duam përgjigje! Sot! Të më përgjigjet shteti, i bëj thirrje Edi Ramës, policisë…”.
Nga ana tjetër, policia e Shkodrës nuk ka dhënë asnjë komunikatë zyrtare edhe pse prej ditësh dërgon me dhjetëra efektive në Rrjoll. Protestuesit mbahen të komisariat, për 3-4 orë e më pas lirohen pa asnjë shpjegim mbi arsyet e shoqërimit.
Ulaj dhe vëllezërit e tij kanë marrë statusin e veçantë të investitorit strategjik për fshatin turistin që do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër.
Lini një Përgjigje