Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore nga vendi, rajoni e bota deri në këtë orë, ku ndër të tjera veçojmë:
Rama niset për Bruksel dhe vendos agjendën e javës. Kryeministri Edi Rama zhvilloi mëngjesin e sotëm mbledhjen me grupin parlamentar në selinë rozë, ku u përcaktua agjenda e javës. Në takim ishte e pranishme edhe Belinda Balluku, aktualisht vetëm deputete pas pezullimit nga posti i zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës. Rreth orës 14:00, Rama do të takohet me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Kosta, për të diskutuar negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Sot vendoset fati i Erion Veliajt. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të shpallë vendimin lidhur me dosjen penale të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Gjyqtarja Etleva Deda do të kryesojë seancën, pavarësisht kërkesës së mbrojtjes për përjashtim.
Dhunimi i avokatit Kujtim Cakrani në Vlorë. Skerdilajd Xhindi dyshohet të ketë goditur me dorezë hekuri avokatin e ish-presidentit Ilir Meta, gjatë një përplasjeje në një karburant. Avokati pësoi dëmtime në kokë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Protestat në Baks-Rrjoll përshkallëzohen. Banorët e Velipojës kundërshtojnë projektin e resortit turistik të Bashkim Ulajt, duke ndaluar punimet dhe paralajmëruar protesta përpara Prokurorisë së Shkodrës. Ata kërkojnë pezullimin e punimeve dhe drejtësi për pronat e tyre, përfshirë edhe qytetarë nga Kosova me toka të trashëguara.
Familja Kola do të prehet në atdhe. Mbi 75 mijë euro janë mbledhur në GoFundMe për transportin e trupave nga Italia në Shqipëri, pas tragjedisë në Porcari nga helmimi me monoksid karboni. Hetimet italiane për shkaqet e ngjarjes vazhdojnë.
Aksident i frikshëm në Bypass-in e Vlorës. Dy makina u përplasën dhe babë e bijë u dërguan në spital në gjendje të rëndë, pas goditjeve të rënda.
Në Hagë nis faza përmbyllëse e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Prokuroria kërkon 45 vite burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, të akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit.
Kosova drejt NATO-s dhe BE-së. Presidentja Vjosa Osmani ritheksoi orientimin euroatlantik, duke theksuar se nuk ka dhe nuk do të ketë “zona gri” në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Prioritet janë mbrojtja, investimet dhe aleancat me SHBA-në dhe BE-në.
Beogradi të respektojë detyrimet. Ambasadori britanik në Beograd, Edward Ferguson, kërkoi nga Kosova formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nga Serbia respektimin e angazhimeve për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Shkrijnë akujt Kinë-SHBA. Presidenti Donald Trump njoftoi se Xi Jinping do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë në fund të vitit, pas shkëmbimeve diplomatike mbi tregtinë dhe çështje globale.
Zhduket figura kryesore e opozitës venezueliane. Juan Pablo Guanipa u rrëmbye sapo doli nga burgu, ndërsa partia e tij kërkon llogari nga regjimi i Karakasit.
Hamasi nuk dorëzohet. Lideri Khaled Mashaal konfirmoi se organizata nuk do të çarmatoset dhe kundërshton kërkesat e SHBA-ve dhe Izraelit për Gazën, duke paralajmëruar se nuk do të pranojë ndërhyrje të huaja.
Lini një Përgjigje