TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Shkurt 2026, 12:16

“Prokurorë politikë”, Malltezi sulmon SPAK; dosja “Partizani” debatet në sallën e GJKKO

Shkruar nga Pamfleti
“Prokurorë politikë”, Malltezi sulmon SPAK; dosja
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi

Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-Kryeministrit Sali Berisha, nuk ka kursyer akuzat dhe sulmet ndaj dy prokurorëve të SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, lidhur me dosjen “Partizani”.

Gjatë seancës në GJKKO ku Malltezi ka paraqitur parashtrimet e tij, nuk kanë munguar debatet, por edhe tërheqja e vëmendjes ndaj dhëndrit të ish-Kryeministrit, që është një prej të pandehurve të SPAK në atë që konsiderohet si afera “Partizani’. Malltezi i ka cilësuar prokurorët e dosjes si politikë dhe pavarësisht tërheqjes së vëmendjes nga ana e Gjykatës, ai nuk e ka konsideruar këtë si sakrilegj.

Malltezi akuzohet nga SPAK për pastrim parash dhe korrupsion, ndërsa ish-Kryeministri Sali Berisha për korrupsion pasiv, duke favorizuar dhëndrin e tij lidhur me gjithë procedurat e ndjekura sa i takon privatizimeve që lidhen me dosjen në fjalë.

Dhëndri i Berishës e cilësoi Arben Krajën një hetues të kohës së komunizmit, ndërsa Enkeleda Millonain një prokurore të katapultuar në SPAK nga Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.

Prokurorja Millonai kërkoi nga Gjykata që t’i tërheqë vëmendjen të pandehurit për gjuhën që po përdorte në sallën e gjyqit.

“Kërkoj t’i tërhiqet vërejtje të pandehurit, pasi të pandehur nuk janë prokurorët në këtë proces. Nëse ka pretendime, t’iu drejtohet organeve përkatëse. Të qëndrojë brenda atyre elementëve që përmban akuza”, tha prokurorja Minollai.

Përvecc Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës, të pandehur të tjerë në dosjen “Partizani” janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash.

Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.

Të gjithë procesin hetimor, Sali Berisha e ka konsideruar si politik dhe që nuk bazohet në asnjë fakt dhe asnjë provë. Për ccështjen në fjalë, Berisha qëndroi për më shumë se 1 vit në arrest shtëpie, pasi kundërshtoi më parë një masë të vendosur nga SPAK për detyrim paraqitje dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit. Malltezi fillimisht u arrestua me urdhër të SPAK, por disa javë më pas masa e sigurisë ndaj tij u ndryshua në arrest shtëpie dhe më pas në hetim në gjendje të lirë.

Debati

Malltezi: Po si tu them prokuror, ata janë prokuror politik që ngritën një akuzë politike.

Gjykata: Jo këtë gjuhë ndaj përfaqësuesve të akuzës, ata janë prokuror.

Malltezi: Prokurorë politik i kam artikuluar edhe më parë pse qenka sakrilegj. Po deshët shtoni një akuzë të re për agjitacion e propagandë, se kemi të pushkatuar më parë.

Prokurorja e SPAK: Kërkoj t’i tërhiqet vërejtje të pandehurit. Nëse ka pretendime, t’iu drejtohet organeve përkatëse. Të qëndrojë brenda atyre elementëve që përmban akuza

malltezi gjkko spak partizani

Lini një Përgjigje