
Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka dalë nga spitali “Nënë Tereza”, ku ishte shtruar disa ditë më parë për trajtim mjekësor, pas shqetësimeve me zemrën.
Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), e cila përmes një reagimi publik bëri me dije se ndërhyrja mjekësore ka qenë e suksesshme dhe se gjendja e ish-kreut të shtetit është e qëndrueshme.
Më 5 shkurt, pas konsultave të specializuara, mjekët e shërbimit të aritmologjisë vendosën t’i implantojnë Moisiut një pacemaker me dy dhoma. Pajisja shërben për të rregulluar rrahjet e zemrës në rastet kur ritmi i saj është i ngadalshëm ose i çrregullt, duke garantuar funksionim më të qëndrueshëm kardiak.
Sipas burimeve mjekësore, ish-presidenti vuante nga blloku atrioventrikular, një çrregullim që shkakton ngadalësim të rrahjeve të zemrës dhe që lidhet kryesisht me moshën. Pas ndërhyrjes, gjendja e tij shëndetësore paraqitet në përmirësim dhe jashtë rrezikut për jetën.
Mjekët bëjnë me dije se Moisiu do të vijojë ndjekjen mjekësore edhe në ditët në vijim, sipas protokolleve standarde, ndërsa është rikthyer në gjendje të stabilizuar shëndetësore.
Lini një Përgjigje