Raporti evidenton dështim institucional të Avokaturës së Shtetit dhe vonesa të Këshillit të Ministrave e Ministrisë së Financave...
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se Avokatura e Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave dhe Këshillin e Ministrave, nuk ka arritur ende të zgjidhë dhe të ekzekutojë vendime përfundimtare të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në gjashtë çështje kundër Shqipërisë, me një vlerë totale dëmshpërblimi prej 17,968,650 euro.
Në kuadër të një auditimi për periudhën 2023-2024, KLSH vëren se, barra më e madhe financiare lidhet me çështjen Sh. kundër Shqipërisë, e cila përbën rreth 75 për qind të totalit, me një detyrim prej afërsisht 13.3 milionë euro, bazuar në një vendim përfundimtar të datës 28 maj 2018, i cili vijon të mos jetë ekzekutuar.
Në raport renditen edhe pesë çështje të tjera të pambyllura: çështja D.k. kundër Shqipërisë me vlerë 15,600 euro (vendim i vitit 2015), çështja “Dh. dhe N.k. kundër Shqipërisë” me vlerë 4, 417,750 euro (vendim i vitit 2016), si dhe tre çështje më të reja të vitit 2024, përkatësisht I.srl K. kundër Shqipërisë (10,800 euro), Z.k. kundër Shqipërisë (60,000 euro) dhe M. & S. F. B.s NV kundër Shqipërisë (17,200 euro).
KLSH thekson se tre nga këto çështje kanë mbi shtatë vite që janë përfundimtare dhe ende të paekzekutuara, çka sjell një efekt negativ të shtuar në buxhetin e shtetit për shkak të kamatëvonesave që aplikohen mbi vlerat e dëmshpërblimit. Moszbatimi i këtyre vendimeve bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 46 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili parashikon detyrimin e shteteve për të zbatuar vendimet përfundimtare të GJEDNJ-së.
Në lidhje me tre vendimet e reja të vitit 2024, raporti evidenton se Avokatura e Shtetit ka dërguar pranë Kryeministrisë kërkesat për ekzekutim së bashku me projekt-vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, por këto vendime nuk janë miratuar brenda afatit ligjor, duke u vonuar për më shumë se pesë muaj, në kundërshtim me nenin 19/2 të ligjit “Për Avokaturën e Shtetit”.
Auditimi nxjerr në pah edhe një tjetër problematikë serioze financiare: Ministria e Financave nuk ka llogaritur dhe nuk ka raportuar interesat që rrjedhin nga vonesat në ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe arbitrazhit ndërkombëtar, si në raportet vjetore 2023–2024, as në evidencat e borxhit publik. Për pasojë, as Avokatura e Shtetit nuk disponon një pasqyrë të plotë mbi këtë detyrim shtesë, ndërsa grupi i auditimit vlerëson se dëmi real për buxhetin e shtetit është më i lartë, por i pallogaritshëm për momentin.
Raporti evidenton gjithashtu shkelje në menaxhimin financiar të institucionit. Avokatura e Shtetit është penalizuar deri në fund të vitit 2024 me 391,550 lekë gjoba nga Drejtoria e Tatim Taksave Tiranë për vonesa në deklarime, ku vetëm 50,630 lekë janë shlyer, ndërsa pjesa tjetër është në proces gjyqësor. Po ashtu, janë konstatuar pagesa për dieta brenda vendit në vlerën 82,500 lekë, të kryera pa dokumentacion justifikues, në kundërshtim me udhëzimet përkatëse financiare.
Në përfundim, Kontrolli i Lartë i Shtetit konkludon se vonesat në zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së, mungesa e koordinimit ndërinstitucional dhe dobësitë në menaxhimin financiar përbëjnë një risk serioz për buxhetin e shtetit dhe për respektimin e detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë, duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale. /Pamfleti
Klsh nuk ka zbuluar akoma as gjysmen e vjedhjeve Nuk guxojne nga palloshi. Edhe spaku po zvarrit.