
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kalithea të Greqisë, ku një vajzë 2-vjeçare me origjinë shqiptare rrëshqiti dhe ra në një shatërvan. Raportohet se ajo ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në një prononcim për mediat greke, personi që i dha ndihmën e parë vogëlushes, një punëtor restoranti, ka rrëfyer momentet dramatike të ngjarjes, duke pranuar se u detyrua të shtirej si mjek vetëm që ta lejonin të ndërhynte për të shpëtuar jetën e fëmijës.
“Pashë papritur shumë njerëz që u mblodhën në një vend dhe mendova se po ndodhte diçka e gëzueshme. Por kur u afrova, dëgjova të bërtitura dhe pashë panik. Një vajzë e vogël ishte pa ndjenja”, u shpreh ai.
Sipas tij, fëmija ishte nxjerrë nga shatërvani dhe nuk jepte shenja jete. Në atë moment, ai vendosi të marrë situatën në kontroll.
“U thashë se isha mjek, vetëm që të më linin të veproja. Nuk kishte kohë për të humbur”, tha i riu.
AI tregon se i bëri menjëherë frymëmarrje artificiale vogëlushes, duke shtuar se për një moment mendoi se gjendja e saj po stabilizohej.
“Pas pak çastesh, vajza filloi të nxirrte nga goja një lëng dhe kjo ishte shenja e parë që po reagonte”, rrëfen ai.
Megjithatë, situata u tensionua kur prindërit e fëmijës ndërhynë. “Sapo më panë duke e ndihmuar, erdhën me vrap dhe e morën vajzën në krahë. U thashë të mos e lëviznin, sepse duhej vazhduar ndihma dhe pritur ambulanca, por ata nuk më dëgjuan”, shtoi ai.
Sipas dëshmisë së tij, prindërit, së bashku me policinë që mbërriti në vendngjarje, u larguan me shpejtësi. “U zhdukën nga vendi, edhe pse u përpoqa t’i bindja që ishte e rrezikshme ta lëviznin fëmijën në atë gjendje”, përfundoi ai.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa autoritetet greke po hetojnë rrethanat e plota të incidentit dhe mënyrën e reagimit pas nxjerrjes së fëmijës nga shatërvani.
Lini një Përgjigje