TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Korrik 2026, 14:58

Marrëveshja SHBA-Iran drejt kolapsit? Sulmet dhe mosbesimi rrisin tensionet

Shkruar nga Tim Lister dhe Gul Tuysuz

Marrëveshja SHBA-Iran drejt kolapsit? Sulmet dhe mosbesimi rrisin tensionet

Gati një muaj pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani ranë dakord për një Memorandum Mirëkuptimi me synimin për të ndalur përshkallëzimin e konfliktit dhe për të hapur rrugën drejt negociatave më të gjera, marrëveshja po përballet me sfidën e saj më të madhe.

Në ditët e fundit, tensionet janë rritur ndjeshëm pas sulmeve ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit. Si kundërpërgjigje, ushtria amerikane ka kryer qindra sulme ndaj objektivave në bregdetin iranian dhe në zona të tjera të vendit. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për mosrespektim të angazhimeve dhe mungesë vullneti për zbatimin e marrëveshjes.

Një nga pikat më të debatueshme të memorandumit mbetet neni 5, i cili përdor formulime të përgjithshme. Dokumenti parashikon që Irani të bëjë "përpjekjet e tij më të mira" për të garantuar sigurinë e lundrimit tregtar për 60 ditë, ndërsa njëkohësisht i ngarkon Iranit dhe Omanit të përcaktojnë administrimin e ardhshëm të Ngushticës së Hormuzit.

Për Teheranin, kjo nënkupton një rol aktiv në menaxhimin e kësaj rruge strategjike detare. "Ngushtica e Hormuzit mbetet nën mbikëqyrjen dhe menaxhimin total të Iranit gjatë 30 ditëve të ardhshme. Vetëm pasi të hiqen të gjitha pengesat do të rikthehet kapaciteti total i rrugës ujore", deklaroi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

Një burim rajonal i cituar nga "CNN" e përshkroi memorandumin si një mekanizëm që funksionon vetëm përkohësisht.

"Memorandumi i Mirëkuptimit po funksionon si një termostat. Ai po rregullon situatën, në thelb aktivizohet dhe çaktivizohet", tha burimi.

Sipas të njëjtit burim, formulimet e marrëveshjes u japin të dyja palëve hapësirë për të justifikuar veprimet ushtarake. "Sipas kuadrit të Memorandumit të Mirëkuptimit, të dyja palët po pretendojnë të drejtën për të sulmuar", deklaroi burimi.

Edhe diplomatët europianë shohin me shqetësim zhvillimet e fundit. "Në rastin më të mirë, marrëveshja është në kujdes intensiv. Por mund të jetë edhe duke rënë në gjendje kome", u shpreh një diplomat europian.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump dha sinjale kontradiktore. Pas sulmit ndaj një anijeje në Gjirin e Omanit, ai deklaroi se: "Për mua, mendoj se ka mbaruar. Nuk dua të merrem më me ta (Iranin)".

Megjithatë, Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e negociatave të reja. Memorandumi parashikon një periudhë 60-ditore për diskutime mbi programin bërthamor të Iranit, pasurimin e uraniumit, lehtësimin e sanksioneve dhe zhbllokimin e aseteve iraniane jashtë vendit.

Edhe pse kanë kaluar 26 ditë nga hyrja në fuqi e kësaj dritareje negociuese, deri tani nuk ka shenja konkrete se palët kanë nisur bisedime për këto çështje kyçe, duke shtuar pasigurinë mbi të ardhmen e marrëveshjes.

shba irani teheran sulme

Lini një Përgjigje